Abdixhiku: Misioni ynë mbetet “liri, pavarësi, demokraci”
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka shënuar sot, më 23 dhjetor 2025, 36-vjetorin e themelimit me homazhe te varri i ish-Presidentit Ibrahim Rugova në Velani të Prishtinës.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, vlerësoi lart kontributin e Rugovës dhe të veprimtarëve të LDK-së në rrugëtimin e Kosovës drejt lirisë, pavarësisë dhe demokracisë. Ai theksoi se programi i hartuar në fillimet e LDK-së, nën udhëheqjen e Rugovës dhe intelektualëve të kohës, u shndërrua në program kombëtar dhe mbetet orientim politik edhe sot.
Abdixhiku, po ashtu, uroi anëtarësinë dhe qytetarët për përvjetorin, duke nënvizuar se LDK, “para se të ishte parti politike, ishte lëvizje e gjithë popullit”, dhe se rrugëtimi politik i saj do të vazhdojë “me krenari drejt së ardhmes”.



