Ka ndërruar jetë Jahja Mustafa, babai i Salih Mustafës. Lajmi është bërë i ditur nga familjarët. I ndjeri kishte qenë prej kohësh në gjendje të rëndë shëndetësore.
Pavarësisht gjendjes së tij, Dhomat e Specializuara në Hagë nuk e lejuan Salih Mustafën të vijë në Kosovë për ta vizituar babanë e tij para ndarjes nga jeta.
Për këtë çështje ka reaguar Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL UÇK), e cila ka shprehur indinjatë dhe shqetësim të thellë ndaj refuzimit të një vizite humanitare.
Sipas OVL UÇK-së, moslejimi i vizitës ka bërë që Salih Mustafa të mos e shohë për herë të fundit babanë e tij dhe të mos i japë lamtumirën e fundit. Organizata thekson se ky vendim përbën shkelje të parimeve themelore të të drejtave të njeriut dhe të standardeve minimale të humanizmit.
Në reagim thuhet se Salih Mustafa është i dënuar me aktgjykim të formës së prerë dhe, sipas OVL UÇK-së, nuk ka ekzistuar asnjë rrezik për ndikim në dëshmitarë apo në ndonjë proces gjyqësor. Refuzimi i kërkesës humanitare, sipas tyre, nuk ka pasur as bazë ligjore dhe as morale.
“Mohimi i së drejtës për t’i qëndruar pranë prindit në momentet e fundit të jetës dhe për t’i dhënë lamtumirën e fundit tejkalon çdo kufi të drejtësisë dhe e zhvesh procesin nga çdo ndjenjë njerëzore. Drejtësia pa humanizëm nuk është drejtësi, por padrejtësi e institucionalizuar”, thuhet në reagim.
OVL UÇK ka shprehur ngushëllime për familjen Mustafa, për bashkëluftëtarët e Salih Mustafës dhe për të gjithë ata që e kanë njohur Jahja Mustafën.



