Albin Kurti ka paralajmëruar se Lëvizja Vetëvendosje do ta mbajë tubimin përmbyllës në Pallatin e Rinisë në Prishtinë, duke e shoqëruar thirrjen elektorale me një zotim financiar: në mandatin e ardhshëm, sipas tij, do të investohen 50 milionë euro për ta bërë objektin gati për Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030” dhe “për ta gëzuar për gjenerata”.
Premtimi vjen në kulmin e fushatës dhe në një objekt që prej vitesh është simbol i zvarritjes, degradimit dhe improvizimit institucional. Shifra 50 milionë euro është përsëritur edhe nga Ministria e Kulturës/Rinisë/Sportit si plan për renovim total të Pallatit të Rinisë në kuadër të përgatitjeve për “Prishtina 2030”, çka e bën këtë zotim edhe më të lexueshëm si kartë politike në fund të garës.
Në vend të sloganit, debati real mbetet: kur fillon puna, ku janë afatet, tenderët, transparenca dhe llogaridhënia për 50 milionë euro? Sepse qytetarët nuk e hanë më premtimin—ata e kërkojnë datën, kontratën dhe rezultatin.



