Një zjarr që ka shpërthyer në një shtëpi në Prizren, ka lënë të vdekur një fëmijë të moshës rreth 1-vjeçare.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, u ka thënë mediave se fëmija dyshohet se ka humbur jetën si pasojë e thithjes së tymit.
“Sot, më datën 30.12.2025, rreth orës 10:00, është raportuar për një zjarr në një shtëpi banimi në qendër të qytetit të Prizrenit. Si pasojë e zjarrit, një fëmijë rreth moshës 1 vjeç ka humbur jetën, ku dyshohet se vdekja ka ardhur si pasojë e thithjes së tymit”.
Sipas Bytyqit, shkaqet e zjarrit janë duke u hetuar nga organet kompetente dhe do të vërtetohen pas përfundimit të procedurave hetimore.
Ndërkohë tre fëmijë të tjerë janë shpëtuar dhe janë dërguar për trajtim mjekësor në Emergjencë, ku po marrin kujdesin e nevojshëm shëndetësor.
Njësitë emergjente kanë reaguar menjëherë dhe zjarri është lokalizuar pothuajse plotësisht. Ekipet përkatëse vazhdojnë të jenë në vendin e ngjarjes.



