Dyshime për hyrje të dronëve nga Serbia në territorin e Kosovës, më saktësisht në zonën e Novosellës të Kamenicës, po qarkullojnë në media, por deri më tani nuk ka konfirmim zyrtar nga Policia e Kosovës apo nga KFOR-i.
Ish-ushtaraku Gecaj ka deklaruar se, pa një komunikatë zyrtare nga institucionet kompetente, rasti mbetet në fazën e spekulimeve, megjithatë ai thekson se një mundësi e tillë nuk duhet të përjashtohet dhe as të neglizhohet.
Sipas tij, Kosova gjendet në një periudhë ku shpesh qarkullojnë informata që duken më shumë si spekulime sesa si realitet, prandaj është e vështirë të arrihet një përfundim i qartë pa verifikim institucional. Ai rikujtoi se edhe më herët ka pasur raste të informacioneve të pakonfirmuara që më pas janë vërtetuar si dezinformata.
Gecaj vlerëson se KFOR-i, si përgjegjësi kryesor për sigurinë dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës, duhet të japë një sqarim publik, qoftë për të konfirmuar apo për të mohuar pretendimet.
Ai gjithashtu paralajmëroi se dezinformatat mund t’u shërbejnë faktorëve të ndryshëm – të brendshëm apo të jashtëm – për të devijuar vëmendjen e opinionit publik nga temat tjera, duke theksuar se deklarimet dhe komunikimi institucional duhet të jenë serioz dhe të kujdesshëm, pasi ndryshe humbet besimi i qytetarëve.
Në mungesë të një reagimi zyrtar, veçanërisht nga KFOR-i, çdo pretendim për praninë e dronëve mbetet i pakonfirmuar. Gecaj shtoi se edhe nëse një depërtim i tillë do të kishte ndodhur, institucionet e sigurisë do të duhej të kishin një qasje të qartë dhe një deklarim publik për të shmangur konfuzionin dhe pasigurinë.



