Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka bërë të ditur se ka nderuar Shaban Mujën me medaljen “Me Besim në Zot, Atdhe e Shtet”, duke e vlerësuar për kontributin në çështjen kombëtare dhe për rolin e familjes Muja në periudha të ndryshme të rezistencës.
Haradinaj ka theksuar se familja Muja ishte e angazhuar që në vitet e hershme të rezistencës, duke marrë pjesë në organizimin e luftës çlirimtare dhe duke i dhënë vendit luftëtarë dhe dëshmorë.
Në deklarimin e tij, Haradinaj e cilësoi Shaban Mujën si “njeri të pathyeshëm”, duke shtuar se ai nuk u dorëzua as përballë burgjeve të pushtuesit dhe se edhe sot mbetet frymëzim për kultivimin e patriotizmit shqiptar te brezat e rinj.
“Në nderim të kontributit të tij të çmuar në çështjen kombëtare, pata nderin që Shaban Mujës t’i ndaj medaljen ‘Me Besim në Zot, Atdhe e Shtet’”, ka deklaruar Haradinaj.



