Më 15 janar të vitit 1975 ndërroi jetë Ernest Koliqi, një nga figurat më emblematike në historinë e Shqipërisë.
Koliqi ishte pasardhës i trungut të Lotajve nga Shala e Dukagjinit. I lindur në Shkodër (20 maj 1903), ku mori edhe mësimet e para, Koliqi u transferua në Itali për të studiuar në Brescia dhe më pas në Universitetin e Padovës.
Ernest Koliqi ishte poet, shkrimtar, dramaturg, dijetar dhe përkthyes i njohur shqiptar. Ai filloi të shkruante nën pseudonime, si Hilushi, Hilush Vilza dhe Borizani. Ka shkruar veprat “Tregtar flamujsh”, “Hija e maleve”, “Pasqyrat e Narcizit”, studime letrare dhe shumë përkthime, kryesisht nga letërsia italiane.
Në vitet 1920 dhe 1930 Koliqi ishte themeluesi i revistave kryesore në Shqipëri, si revista “Illyria”, “Ora e Maleve”, “Shkendija” dhe revista të tjera si Shejzat në Itali. Ai gjithashtu ishte ministër i Arsimit në kohën e Mbretërisë së Shqipërisë gjatë Luftës së Dytë Botërore, kur kontribuoi në krijimin e bibliotekave publike në Shqipëri.
Shumë nga veprat e tij letrare u ndaluan gjatë kohës së komunizmit për shkak të pikëpamjeve të tij politike liberale. Ai u bë krijues në prozë, dhe së bashku me Mitrush Kutelin konsiderohen themeluesit e prozës moderne shqiptare.
Ernest Koliqi përktheu në shqip veprat e shkrimtarëve të mëdhenj italianë, si Dante Alighieri, Petrarka, Ludovico Ariosto, Torquato Tasso, Giuseppe Parini, Vincenzo Monti, Ugo Foscolo dhe Alessandro Manzoni. Gjithashtu spikati në përkthimin e një antologjie të poezisë italiane në vitin 1963.
Koliqi vdiq në Itali në vitin 1975.



