spot_img
E hënë, 19 Janar, 2026
05:05
HomeKulturëKonferenca e Paqes në Paris (1919) dhe përpjekja e Shqipërisë për njohjen...

Konferenca e Paqes në Paris (1919) dhe përpjekja e Shqipërisë për njohjen e sovranitetit kombëtar

Për lajme të shkurtra dhe informuese, ndiqni kanalin tonë në YouTube!
🔗 Kliko: KËTU

Në epilog të Luftës I Botërore fuqitë fituese u bashkuan në punimet e Konferencës së Paqes në Paris, më 18 janar 1919.

Konferenca kishte si qëllim kryesor riorganizimin gjeopolitik pas Luftës së Parë Botërore. Nën drejtimin e fuqive si Britania e Madhe, Franca, Italia, SHBA dhe Japonia, ky forum shqyrtoi edhe statusin e Shqipërisë. Në atë kohë, Shqipëria gjendej në një pozicion delikat sovraniteti dhe nën pretendimet territoriale të shteteve fqinje.

- Advertisement -

Delegacioni shqiptar, përbëhej nga kreu i Qeverisë së Durrësit Turhan Pasha, e në të bënin pjesë personalitete, si Luigj Bumçi, Gjergj Fishta, Mit’hat Frashëri, Mustafa Kruja, Luigj Gurakuqi, Lef Nosi etj.

Gjithashtu merrte pjesë edhe e vetmja veprimtare grua me të drejta të plota në konferencë, Parashqevi Qiriazi, si edhe përfaqësues nga kolonitë shqiptare jashtë atdheut.

- Advertisement -

Delegacioni shqiptar mbrojti platformën për njohjen e pavarësisë brenda kufijve të vitit 1913. Përmes memorandumeve zyrtare, ata argumentuan se caktimi i kufijve duhej të bazohej në parimin e vetëvendosjes së popujve (promovuar nga presidenti amerikan Wilson), duke përfshirë në shtetin shqiptar edhe Kosovën e Çamërinë. Megjithatë, marrëveshjet sekrete të luftës (si Traktati i Londrës i vitit 1915) dhe interesat e Fuqive të Mëdha krijuan pengesa serioze për njohjen e kërkesave shqiptare.

Ky proces u konkretizua me Kongresin e Lushnjës (janar 1920), i cili shënoi marrjen e iniciativës sovrane për konsolidimin e institucioneve shtetërore dhe legjitimimin e pavarësisë kombëtare.

Konferenca e Paqes e Parisit (18 janar 1919 – 21 janar 1920) pati si qëllim kryesor vendosjen e një rendi të ri botëror për të parandaluar një konflikt të ri. Në konferencë mori pjesë edhe presidenti amerikan Woodrow Wilson (i cili shkelte për herë të parë në kontinentin e vjetër). Ai shpalosi një program me 14 pika, ku në qendër ishte parimi i vetëvendosjes së popujve.

Shqipëria doli pa një zgjidhje përfundimtare për çështjen e statusit të saj dhe kufijve tokësorë. Kjo gjë diktoi nevojën për një riorganizim politik në vend, që do të rimerrej në Konferencën e Ambasadorëve të vitit 1921, ku u pranua sovraniteti i Shqipërisë në kufijtë e vitit 1913. /atsh

ARTIKUJ TË TJERË
- Advertisment -spot_img

Më të lexuarat