Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka pranuar që është intervistuar nga Prokuroria Speciale, ani pse nuk pranoi që të jap më shumë detaje.
“Shumë shpejtë besoj që do të sqarohet dhe nga Prokuroria Speciale dhe nga unë”, tha ai.
Tutje, ai ka deklaruar se Qeveria do të procedojë sërish ligjin për sigurime shëndetësore menjëherë pas konstituimit të Kuvendit, pas aktvendimit të Gjykatës Kushtetuese që rrëzoi disa ligje për arsye administrative, duke theksuar se ky proces është i domosdoshëm për krijimin e fondit të sigurimeve dhe sistemit informativ shëndetësor, raporton Ekonomia Online.
I pyetur për ankesat e qytetarëve se mjekët mungojnë në orar për shkak të punës në sektorin privat, Vitia ka deklaruar se fenomeni i mungesës së mjekëve gjatë orarit të punës për shkak të angazhimeve në sektorin privat po trajtohet vazhdimisht përmes inspektimeve të Inspektoratit Shëndetësor, duke theksuar se viti 2025 ka qenë rekord për nga numri i kontrolleve të kryera.
Ai ka thënë se gjatë këtij viti janë shqiptuar dhjetëra e qindra masa disiplinore ndaj punonjësve shëndetësorë që janë gjetur në shkelje, qoftë për trajtim të pandërgjegjshëm të pacientëve, largim nga vendi i punës gjatë orarit zyrtar apo mosrespektim të kritereve të përcaktuara me ligjet në fuqi.
Vitia ka folur edhe për ndërtimin e spitalit të ri të gjinekologjisë, duke njoftuar se procesi është në fazë të avancuar në bashkëpunim me Emiratet e Bashkuara Arabe.



