Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë se janë ulur largimet e mjekëve jashtë vendit dhe kërkesat për shërim jashtë Kosovës.
“Lajm i mirë nga puna e përbashkët është se ka rënie të theksuar të largimit të mjekëve nga vendi dhe të numrit të kërkesave të pacientëve për shërim jashtë vendit, çka dëshmon përmirësimin e kushteve të punës për profesionistët shëndetësorë dhe të shërbimeve për qytetarët e Republikës”, ka shkruar Kurti në Facebook për vizitën që bëri bashkë me ministrin në detyrë të Shëndetësisë, Arben Vitia, në Odën e Mjekëve.
Kurti ka theksuar se zhvillim tjetër pozitiv është gjithashtu fakti se në gjashtë muajt e fundit Oda e Mjekëve ka licencuar rreth 50 mjekë nga radhët e komunitetit joshumicë serb, që tregon vullnet të mirë dhe gatishmëri për integrim në sistemin e shëndetësisë.
Postimi i plotë:
Me ministrin Vitia u mirëpritëm në Odën e Mjekëve. Diskutuam për rezultatet, sfidat dhe planet. Lajm i mirë nga puna e përbashkët është se ka rënie të theksuar të largimit të mjekëve nga vendi dhe të numrit të kërkesave të pacientëve për shërim jashtë vendit, çka dëshmon përmirësimin e kushteve të punës për profesionistët shëndetësorë dhe të shërbimeve për qytetarët e Republikës. Zhvillim tjetër pozitiv është gjithashtu fakti se në gjashtë muajt e fundit Oda e Mjekëve ka licencuar rreth 50 mjekë nga radhët e komunitetit joshumicë serb, që tregon vullnet të mirë dhe gatishmëri për integrim në sistemin tonë të shëndetësisë dhe shërbim ndaj pacientëve pa dallim.
Në anën tjetër, sfidë mbetet pensionimi i rreth 1600 mjekëve në 10 vitet në vijim, nga afër 5500 sa janë të licencuar aktualisht. Për këtë na duhet bashkëpunim i ngushtë me Odën dhe planifikim i mirë i Ministrisë së Shëndetësisë për zëvendësim të duhur me mjekë të rinj, në fusha sipas kërkesave dhe në komuna që kanë nevojë.
I falënderova drejtuesit e Odës së Mjekëve për angazhimin e tyre dhe për vullnetin për partneritet të afërt. U shprehëm mirënjohjen për kontributin dhe ofruam mbështetje të pakursyer.



