Me rastin e përvjetorit të fillimit të Konferencës së Rambujesë, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, ka kujtuar rëndësinë historike të këtij procesi për fatin e Kosovës.
Sipas Hamzës, më 6 shkurt 1999 Kosova foli me zërin e saj dhe vendosi për të ardhmen e vet, duke zgjedhur paqen, lirinë dhe rrugën e drejtë të historisë. Ai theksoi se delegacioni i Kosovës në Rambuje, i udhëhequr nga Hashim Thaçi si kryesues, luajti rol kyç në këtë proces vendimtar.
Hamza rikujtoi se nëntë vjet pas Konferencës së Rambujesë, Kosova shpalli Pavarësinë, duke e konsideruar këtë si vazhdimësi të rrugës së nisur drejt lirisë dhe shtetndërtimit.
Postimi i plotë:
Më 6 shkurt 1999 filloi Konferenca e Rambujesë, një moment vendimtar në historinë tonë. Kosova foli dhe vendosi për vetveten. Nën udhëheqjen e Hashim Thaçit, si kryesues i delegacionit, zgjodhëm paqen, lirinë dhe anën e drejtë të historisë. Nëntë vjet më vonë, shpallëm edhe Pavarësinë e Kosovës.
Sot nderojmë heronjtë tanë dhe falënderojmë të gjithë aleatët, që na mbështetën në çdo hap të lirisë dhe shtetndërtimit.
E ardhmja euroatlantike e Kosovës kërkon drejtësi e liri edhe për çlirimtarët tanë në Hagë, të cilët gjithnjë kanë qenë faktorë të stabilitetit dhe ndërtues të vizionit perëndimor të shtetit tonë.



