Qyteti i Shkodrës është shndërruar në një skenë magjike festash me Paradën e Karnavaleve, një spektakël unik që solli ngjyra, dritë dhe fantazi në çdo rrugë të qytetit.
Kryeministri Edi Rama ndau momente nga ky event, i cili veshi qytetin me ngjyra dhe dritë, duke e kthyer Shkodrën në një qendër feste dhe kreativiteti.
Parada e karrocave, dritave dhe personazheve pushtoi rrugët, duke krijuar një atmosferë të hapur dhe spektakolare për qytetarët dhe vizitorët.
Në të njëjtën mbrëmje, muret e Bashkisë Shkodër morën jetë përmes një loje regjisoriale të kuruar në çdo detaj.
Personazhet, format dhe ritmi u shkrinë natyrshëm me paradën në rrugë, në një mapping show që mahniti çdo sy dhe veshi fasadën me dritë, lëvizje dhe fantazi.
Ky spektakël përmbledh energjinë, ngjyrat dhe atmosferën e një karnavali të vërtetë, aty ku rruga dhe arkitektura u bënë një, qyteti foli me imazhe dhe festa u ndje në çdo cep, duke ofruar një eksperiencë të paharrueshme për të gjithë banorët dhe vizitorët.
Festa e karnavaleve në Shkodër ka nisurqë prej datës 9 shkurt dhe do të vijojë deri të dielën, 15 shkurt. Në shesh do të ketë butafori artistike, karro alegorike, parada, personazhe groteske dhe të animuara, koncerte, etj., që përveç se do të përfshijnë qytetarët shkodranë do të tërheqin edhe shumë vizitorë.
Karnavalet e Shkodrës rikthejnë traditën e festave me ngjyra dhe muzikë, duke krijuar një ambient tërheqës për familjet, të rinjtë dhe vizitorët, dhe shërbejnë si një mundësi për promovimin e qytetit si destinacion turistik dhe kulturor. /atsh



