Monumenti i Pavarësisë së Kosovës, NEWBORN, në 18-vjetorin e Pavarësisë, u kthye sërish në qendër të vëmendjes. Si herëve të tjera që merr ngjyra të ndryshme sipas kontekstit politik dhe social, këtë herë, aktivistët e platformës “Liria ka emër” realizuan një gjest simbolik për ish-pjesëtarët e UÇK-së që po gjykohen në Hagë.
Pas “burgosjes” simbolike të monumentit mbrëmë, me rrethime hekuri dhe mbishkrimin “Kosova e burgosur”, këtë mëngjes NEWBORN u mbush me 5,000 emblema magnetike të UÇK-së. Aktivistët e cilësuan këtë veprim si një reagim qytetar ndaj padrejtësisë së Gjykatës Speciale.
Eliza Hoxha nga platforma “Liria ka emër” tha se çdo emblemë simbolizon vlerat demokratike dhe përpjekjen për liri, duke rikujtuar rolin e luftës çlirimtare dhe themelet e shtetit të Kosovës.
Kreatori i monumentit, Fisnik Ismaili, shtoi se transformimi i NEWBORN këtë vit lidhet me temën e lirisë, ku secila shkronjë mban një domethënie të veçantë dhe reflekton lidhjen me vlerat e aleatit SHBA dhe përpjekjet historike për pavarësi.
Monumenti nuk kaloi pa reagime ndërkombëtare.
Kryeministri shqiptar, Edi Rama, e vlerësoi gjestin si një shenjë respekti për sakrificën e kombit dhe simbolikën e luftës për liri, duke shkruar. “Pas ‘burgosjes’ simbolike me një grilë hekuri në NEWBORN, me mbishkrimin ‘Kosova e burgosur’, aktivistët sot vendosën 5000 emblema të UÇK-së.”
Ky veprim shënon fillimin e përgatitjeve për Ditën e Pavarësisë, ku institucionet e Kosovës kanë organizuar ngritjen e flamurit, homazhe, parakalime të FSK-së dhe Policisë së Kosovës, si dhe vizita në varret e dëshmorëve dhe liderëve historikë. NEWBORN rikthehet kështu si simbol i kujtesës kombëtare dhe krenarisë për liri.



