Rrugët kryesore të Prishtinës, këtë të martë të 17 shkurtit janë veshur me ngjyrat e Ushtrisë dhe Policisë së Kosovës. Ushtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) bashkë me pjesëtarë të policisë kanë marshuar drejt këtyre rrugëve në ceremoninë e 18 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.
Qytetarë të shumtë kanë mbushur rrugët për të parë djemtë e vajzat e Forcës së Kosovës e Policisë së Kosovës, të cilët mbi supe bartin përgjegjësinë e sigurisë së Republikës.
Ceremonia kryesore e parakalimit u mbajt tek obelisku New Born, aty ku komandantja supreme e Ushtrisë së Kosovës, presidentja e shtetit, Vjosa Osmani tha se është vendi ku u dha kumti i shumëpritur i shtetësisë.
“Në këtë përvjetor domethënës jemi në rrugën “Luan Haradinaj e cila mbanë emrin e një luftëtari të shquar, një heroi të Ushtrisë Çlirimtare, një emër që na kujton se ky shtet u ndërtua nga guximi i atyre që zgjodhën të mos heshtim përballë padrejtësisë. Gjaku i tyre qëndron në themelet e shtetit tonë të pavarur e sovran. Pak metra nga këtu qëndron monumenti Heroinat, një kujtesë e fuqishme, por edhe e dhimbshme. Për afër 20 mijë gra të dhunuara nga regjimi gjenocidal i Serbisë gjatë luftës së vitit 1998-1999. Ai monument na kujton se plagët që lufta la pas, dhimbet që nuk shihen gjithmonë, por që jetojnë gjatë në ndërgjegjen tonë kolektive, nuk do të harrohen kurrë. Na kujton se liria ka çmim të lartë dhe se drejtësia për mijëra të vrarë, përfshirë edhe fëmijë mbetet një obligim i përhershëm i yni”, tha Osmani.
Prandaj, tha ajo, në hapësirën ku lindja e shtetit, sakrifica e të gjithë luftëtarëve të UCK-së dhe plagët e luftës qëndrojnë bashkë, kujtojnë përpjekjet e brezave që u vulos pikërisht në shkurtin e vitit 2008.
“Sot para jush qëndron një Republikë 18 vjeçare e lindur nga sakrifica, e ushqyer nga qëndresa dhe e forcuar nga shpirti i popullit të saj, nga secili prej jush. Kosova është shtet i lirë, i papërkulur, i vendosur për ta mbrojtur lirinë e vetë në çdo pëllëmbë të saj. Kosova është Republikë e pavarur dhe sovrane , e guximshme, e fortë dhe me miq të shumtë”, deklaroi Osmani.



