Eksperti Koen Herlaar pohoi se në 16 vite përvojë pune si pjesë e Institutit Kriminalistik të Holandës i ka kryer 24 akt-ekpertiza dhe se asnjëherë nuk ka dhënë dëshmi për mikropikat.
Këtë deklarim ai e bëri duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtjes së Isni Kilajt përmes avokatit, Joe Holmes i cili u fokusua tek ekspertiza e dëshmitarit në analizimin e mikropikave, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Holmes nisi pyetjet për dëshmitarin pas mbrojtjes së Bashkim Smakajt.
Përpara kësaj, Koen Herlaar, tha se ka përpiluar ekspertiza për gjykatës holandez, e që rrjedhimisht raportet e tij janë bërë pjesë e dokumentacionit gjyqësor. Por, ai tha se nuk i është kërkuar asnjëherë që të jep dëshmi me gojë për këto raporte.
“Nuk më është kërkuar asnjëherë që të jap dëshmi me gojë. Nuk është normale që të jap unë dëshmi për akt-ekspertizat e mia. Pra, nuk është diçka standarde në sistemin penal të Holandës”, tha ai.
Herlaar megjithatë shtoi se ka dhënë dëshmi për punën e tij në përgjithësi në një seancë për themelin e çështjes, si dhe në një seancë paraprake por jo në sallën e gjyqit. Ai shpjegoi se hera e fundit ka ndodhur kur një gjyqtar hetues ka dashur që të informohet për punën e tij. Por, sipas tij, asnjëra prej këtyre rasteve nuk kishte të bënte për mikropikat.
Pas kësaj, seanca kaloi në sesion privat për publikun për të diskutuar informacione të cilat janë konfidenciale.



