spot_img
E martë, 10 Mars, 2026
19:47
HomeEkonomiMINT po i monitoron çmimet e derivateve në treg

MINT po i monitoron çmimet e derivateve në treg

Për lajme të shkurtra dhe informuese, ndiqni kanalin tonë në YouTube!
🔗 Kliko: KËTU

Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut pranë Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit ka njoftuar se është duke realizuar mbikëqyrje intensive në tregun e derivateve të naftës, në kuadër të monitorimit të vazhdueshëm të këtij tregu.

Sipas njoftimit, kjo mbikëqyrje po bëhet në lidhje me zbatimin e Vendimit për rregullimin e përkohshëm të çmimeve dhe caktimin e masave të tjera mbrojtëse, të nënshkruar nga ministrja Mimoza Kusari Lila më 4 mars 2026. Qëllimi i këtij vendimi është mbrojtja e konsumatorit, rritja e transparencës, mbrojtja e konkurrencës së ndershme dhe mënjanimi i çrregullimeve në treg.

- Advertisement -

Po ashtu bëhet e ditur se Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut, së bashku me Administratën Tatimore të Kosovës, është duke realizuar analiza të të dhënave lidhur me çmimet e importit dhe çmimet e ekspozuara për konsumatorët në tregun vendor.

Sipas të dhënave zyrtare të siguruara nga evidencat e Doganës së Kosovës, çmimi mesatar i importit për derivatet e naftës gjatë ditës së hënë, më 9 mars 2026, ka qenë: nafta (dizel) 1.44 euro për litër, ndërsa benzina 1.17 euro për litër.

- Advertisement -

Ndërkohë, bazuar në monitorimin e realizuar në tregun vendor nga dita e shtunë e deri më tani, çmimet e ekspozuara për konsumatorët në pikat e shitjes me pakicë janë: për naftë (dizel) nga 1.44 euro për litër deri në 1.55 euro për litër, ndërsa për benzinë nga 1.26 euro për litër deri në 1.31 euro për litër.

Bazuar në vendimin e datës 4 mars 2026 për rregullimin e përkohshëm të çmimeve dhe caktimin e masave të tjera mbrojtëse, është vendosur marzha tregtare maksimale e lejuar prej dy eurocentësh për litër për produktin e shitur me shumicë dhe dymbëdhjetë eurocentësh për litër për produktin e shitur me pakicë.

Në njoftim theksohet se marzha tregtare nënkupton ndryshimin mes çmimit të shitjes dhe çmimit të furnizimit.

Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut ka bërë të ditur se do të vazhdojë të monitorojë dhe inspektojë në mënyrë intensive zhvillimet në tregun e derivateve të naftës, së bashku me Doganën e Kosovës, Administratën Tatimore të Kosovës dhe Autoritetin e Konkurrencës së Kosovës. Në të gjitha rastet ku identifikohen parregullsi eventuale, mosrespektim i vendimit për marzhën apo praktika që mund të dëmtojnë konkurrencën dhe konsumatorët, do të ndërmerren masa rigoroze të parapara me legjislacionin në fuqi.

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit ka bërë të ditur se publiku do të njoftohet me kohë për çdo zhvillim të mëtejmë.

spot_img
ARTIKUJ TË TJERË
- Advertisment -spot_img

Më të lexuarat