Në 80-vjetorin e shkrimtarit dhe politikanit Namik Dokle, në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë u promovua libri i tij i ri “Atje ku dielli lind dy herë – Saga e Gorës”.
Të pranishëm ishin personalitete të kulturës, shkencës dhe politikës. Majlinda Toçi, drejtoreshë e komanduar e Bibliotekës Kombëtare, e vlerësoi shkrimtarin Namik Dokle si një nga zërat më të veçantë të letrave shqipe. Ajo e paraqiti veprën e tij më të re, si një rrëfim të gjerë letrar mbi historinë, duke përfshirë traditat dhe jetën e banorëve të krahinës së Gorës e duke ndërthurur kujtesën historike me rrëfimin artistik dhe dimensionin njerëzor të personazheve.
Akademiku Vasil Tole paraqiti më tej një vështrim estetik të veprës së Dokles, duke e përshkruar shkurt si trilogji që ka si bosht karakterin historik e legjendar, rrëfimin për fatin dhe ndodhitë e një familjeje, të një fisi apo grupi etnik gjatë disa brezave. Duke e nisur nga ky këndvështrim, saga zakonisht mbështetet në një bazë historike të qartë, të mirëpërcaktuar, duke gërshetuar elementët reale me elementet legjendarë.
Ai theksoi se “Saga e Gorës” është tashmë një shembull i bukur dhe i pasur që përfshin artistikisht jetën e Gorës për një periudhë kohore që shkon edhe përtej përmasës së kujtesës njerëzore.
Ky roman sjell një dimension të ri të rrëfimit historik, duke shërbyer si një pikë referimi për studimet e mëtejshme për historinë, kulturën dhe traditat e kësaj krahine. Për vlerat estetike dhe mesazhet e veprës mbajtën ligjërata edhe studiuesi Behar Gjoka, kritiku dhe publicisti Agim Baçi.
Në fund, shkrimtari Namik Dokle i falënderoi të pranishmit, miqtë dhe ligjëruesit për vlerësimin e veprës, duke vlerësuar edhe rrugëtimin e përbashkët që ka bërë me ta në fushën e publicistikës dhe të krijimtarisë. /atsh



