spot_img
E enjte, 12 Mars, 2026
22:40
HomeKulturëFestë në Elbasan, qyteti ka hapur dyert për të gjithë

Festë në Elbasan, qyteti ka hapur dyert për të gjithë

Për lajme të shkurtra dhe informuese, ndiqni kanalin tonë në YouTube!
🔗 Kliko: KËTU

Në Elbasan, festa e pranverës nuk nis e përfundon më 14 mars.

Ajo nis shumë më herët, duke e kthyer qytetin për disa ditë rresht në një skenë të madhe aktivitetesh kulturore, artistike dhe festive. Prej 9 marsit, çdo mbrëmje ka pasur gjallëri në sheshe, rrugë dhe ambiente publike të Elbasanit.

- Advertisement -

Qyteti është ndriçuar nga dritat e skenave festive, ndërsa muzika dhe zërat e të rinjve kanë mbushur shëtitoret. Çdo mbrëmje ka sjellë një aktivitet të ri, koncerte, performanca artistike, aktivitete për fëmijë, panaire dhe programe kulturore që kanë tërhequr qytetarë dhe vizitorë të shumtë.

Familje të tëra dalin në shëtitore, fëmijët mbushin hapësirat e dedikuara për lojëra, ndërsa të rinjtë bëhen pjesë e koncerteve dhe aktiviteteve artistike që zgjasin deri në orët e vona të mbrëmjes.

- Advertisement -

Panairet me produkte tradicionale dhe artizanale kanë sjellë një tjetër ngjyrë në qytet. Në stendat e vendosura përgjatë shëtitores, vizitorët kanë mundur të shijojnë ëmbëlsirat tradicionale, ndër të cilat nuk mungon simboli i kësaj feste, ballokumja, e përgatitur sipas traditës së hershme elbasanase.

Kryetari i Bashkisë së Elbasanit, Gledian Llatja, tha se aktivitetet festive do të jenë të shumta gjatë gjithë javës, me këngëtarët më të njohur të Shqipërisë që do të ngjiten në skenat e qytetit. Ai theksoi gjithashtu, se të gjitha hotelet në Elbasan, përfshirë edhe ato në Gjinar e në Llixha janë tashmë të prenotuara, duke e kthyer qytetin në një qendër feste dhe shijimesh të larmishme për vizitorët.

Netët e festës kanë qenë gjithashtu një mundësi për të promovuar kulturën dhe traditën e qytetit. Grupet artistike, këngëtarët dhe formacionet muzikore kanë sjellë performanca që kanë bashkuar breza të ndryshëm rreth muzikës dhe vallëzimit, raporton atsh.

I gjithë ky program i pasur aktivitetesh është organizuar nën kujdesin e kryetarit të Bashkisë së Elbasanit, Gledian Llatja, me synimin për ta kthyer qytetin në një destinacion festiv gjatë gjithë këtyre ditëve të pranverës. Përmes këtij programi, Bashkia ka synuar jo vetëm ruajtjen e traditës së Ditës së Verës, por edhe gjallërimin e jetës kulturore dhe turistike të qytetit.

Dhe ndërsa çdo mbrëmje sjell aktivitete të reja, atmosfera festive kulmon në pragun e 14 marsit, kur Elbasani mbushet me vizitorë nga e gjithë Shqipëria për të përjetuar nga afër festën që prej shekujsh identifikohet me këtë qytet.

spot_img
ARTIKUJ TË TJERË
- Advertisment -spot_img

Më të lexuarat