Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme përkujtoi sot Rauf Ficon në 145-vjetorin e lindjes (13 mars 1881), si një nga figurat më të ndritura të diplomacisë shqiptare dhe një prej arkitektëve që ndihmuan në ndërtimin e themeleve të shtetit shqiptar modern.
Në një kohë kur Shqipëria ishte ende një shtet i ri dhe i brishtë, Rauf Fico i dha diplomacisë shqiptare vizion, dinjitet dhe orientim europian.
Ai përfaqësoi vendin në disa nga kryeqytetet më të rëndësishme të Evropës dhe punoi për ta vendosur Shqipërinë në hartën e marrëdhënieve ndërkombëtare si një shtet serioz dhe i respektuar.
Si ministër i Punëve të Jashtme, ai hodhi themelet institucionale dhe ligjore të shërbimit diplomatik shqiptar që orientuan shërbimin e jashtëm shqiptar për dekada me radhë, si dhe kontribuoi në ndërtimin e një diplomacie moderne, të organizuar dhe të orientuar drejt bashkëpunimit ndërkombëtar.
Rauf Fico përfaqëson një brez burrash shteti që kaluan nga epoka e perandorive në epokën e shteteve kombëtare dhe që i shërbyen Shqipërisë me kulturë, integritet dhe vizion.
Kujtesa historike e diplomacisë shqiptare ruan në figurën e tij modelin e diplomatit me vizion, integritet dhe përkushtim të plotë ndaj interesit kombëtar. /atsh



