Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar të shtunën se Ligji për të Huajt dhe Ligji për Automjetet do të fillojnë të zbatohen nga 16 marsi, ndërsa tha se asnjë qytetar i vendit nuk ka arsye të frikësohet nga ky proces. Përkundrazi, qytetarët, sipas tij, duhet të përfitojnë nga mundësitë dhe benefitet që ai sjell.
Këtë qëndrim Kurti e dha pas takimit me emisarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë–Serbi, Peter Sorensen, ku u diskutua zbatimi gradual i ligjeve. Kryeministri njoftoi se i gjithë procesi do të zhvillohet në koordinim të ngushtë me Përfaqësuesin Special të BE-së dhe me përfaqësuesit e komunitetit serb lokal.
“Qëllimi final i inkorporimit nuk është kufizimi i ndonjë të drejte, por fuqizimi i tyre. I gjithë ky proces do të bëhet në koordinim të ngushtë me Përfaqësuesin Special të BE-së për dialog dhe në koordinim të vazhdueshëm me serbët lokalë. Për ne është me rëndësi që gjatë legalizimit, qytetarët serbë të besojnë në përfitimet nga procesi dhe detyrimet që burojnë nga marrëveshjet e Brukselit dhe korniza ligjore e Kosovës”, tha Kurti.
Qeveria, sipas tij, do të kujdeset që gjatë këtij procesi të mos ketë pengesa në ofrimin e shërbimeve bazike, veçanërisht në arsim dhe shëndetësi.
“Jam i sigurt se të gjithë ne do të dalim fitues nga zbatimi i këtyre dy ligjeve. Besoj fuqishëm se më së shumti do të përfitojnë ata të cilëve u drejtohet ky ligj, qytetarët e huaj, të cilëve rregullat e përcaktuara me ligj do t’u ofrojnë më shumë siguri gjatë qëndrimit, më shumë parashikueshmëri dhe më shumë efikasitet gjatë përpunimit të aplikimeve të tyre”, shtoi ai.
Kurti gjithashtu bëri të qartë se qytetarët që vijnë nga Lugina e Preshevës nuk duhet të shqetësohen. Qëllimi i ligjit nuk është ndërprerja e shërbimeve, por legalizimi i tyre brenda kornizës ligjore të Kosovës, tha mes tjerash ai.
“Nga zbatimi i këtij ligji do të preken edhe qytetarët që vijnë apo qëndrojnë në Kosovë nga Presheva, Medvegja, Bujanoci dhe qytetet e tjera të Serbisë. Shumë prej tyre janë të angazhuar në ofrimin e shërbimeve shëndetësore dhe edukative në sistemin paralel të financuar nga Serbia. Dua të theksoj fuqishëm se nuk është interesi i Kosovës që zbatimi i ligjit të krijojë pengesa në ofrimin e shërbimeve bazike, por po ashtu nuk duhet të ekzistojnë mekanizma ilegalë të financuar nga një shtet që nuk e njeh Republikën e Kosovës”, tha Kurti.
Ai nënvizoi rëndësinë e inkorporimit të plotë të sistemit arsimor dhe atij shëndetësor në komunat me shumicë serbe, duke theksuar se kjo do të përkthehet në më shumë cilësi shërbimesh, më shumë financim, prezencë dhe siguri për qytetarët.
Qeveria do të pajiset me listat e stafit akademik dhe shëndetësor për dhënien e lejeve të përkohshme të qëndrimit 12-mujore, ndërsa e njëjta procedurë do të vlejë edhe për studentët e huaj.
“Studentët e huaj që qëndrojnë në Kosovë për qëllime studimore do të regjistrohen nga krerët komunalë dhe, pas aplikimit të suksesshëm, do t’u ofrohet leje e përkohshme qëndrimi me afat 12 muaj, me mundësi vazhdimi në rast të vazhdimit të studimeve. E njëjta procedurë do të aplikohet edhe për aplikantët e rinj në vitet akademike të ardhshme”, deklaroi kryeministri.
Kurti bëri të ditur se gjatë periudhës së aplikimit, ID kartat e lëshuara nga strukturat jo legale do të pranohen për identifikim.
“Ministria e Punëve të Brendshme do të nxjerrë udhëzime të detajuara për regjistrimin e këtyre të dhënave brenda sistemit qendror të regjistrit civil të Kosovës”, përfundoi kryeministri Kurti.
Sorensen: Kosova nis zbatimin e Ligjit për të Huajt, me masa shtesë



