spot_img
E martë, 17 Mars, 2026
13:55
HomeKosovaOpozita: Albin Kurti po luan me ftesat për takime

Opozita: Albin Kurti po luan me ftesat për takime

Për lajme të shkurtra dhe informuese, ndiqni kanalin tonë në YouTube!
🔗 Kliko: KËTU

Gjatë kësaj jave kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, synon të zhvillojë takime me partitë opozitare, sipas tij, për arritjen e një marrëveshjeje për zgjedhjen e presidentit të ri.

Por, ftesa e tij ka mbetur e ngrirë, pasi partitë e opozitës PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja refuzojnë takime të tilla në rrethanat aktuale, derisa Gjykata Kushtetuese është duke e shqyrtuar dekretin e presidentes për shpërndarjen e kuvendit.

- Advertisement -

Deputeti i PDK-së, Artan Behrami, e ka quajtur jo serioze ftesën e Kurtit, për të cilin thotë se po synon të kompensojë kohën e humbur pasi ka dështuar të arrijë marrëveshje politike para përfundimit të afatit kushtetues për zgjedhjen e presidentit.

“Ftesa është tepër jo serioze sepse kryeministri Kurti ka pasur muaj kohë për të thirrur të gjitha partitë politike dhe për të gjetur një konsensus për emrin e presidentit. Tani ai nuk mund ta kompensojë këtë kohë në sekondat e fundit dhe duhet të respektojë edhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Vetëm pas një vendimi të Gjykatës Kushtetuese mund të ketë takime, nëse ajo e lejon. Ne besojmë se vendi duhet të shkojë në zgjedhje, pasi kuvendi ka dështuar të zgjedhë presidentin. LVV-ja ka një traditë skandaloze për të bërë presion mbi Gjykatën Kushtetuese, për të demonizuar të gjithë gjyqtarët e saj dhe për të mos pranuar vendimet e saj”, tha Behrami.

- Advertisement -

Kurti përmes ftesës së tij për takim me opozitën ka thënë se synon që të shmangen zgjedhjet e jashtëzakonshme. Por, deputetja e AAK-së, Albana Bytyqi, vlerëson se Kurti është shkaktari që vendi po shkon drejt zgjedhjeve, duke dështuar ta zgjedhë presidentin e ri brenda afatit kushtetues. Deputetja Bytyqi i quan lojëra të Kurtit ftesat për takime.

“Unë më shumë e shoh si një lojë të kryeministrit Kurti, sepse po dëshiron që ta çorientojë pak edhe konfliktin që ka me presidenten Osmani, sepse ne e dimë shumë mirë se Gjykata Kushtetuese, pa e dhënë një vendim deri më 31 mars, ne nuk kemi të drejtë të ndërmarrim asnjë veprim më tutje. Kjo po shihet si një lojë e Kurtit që, nëse shkojmë në zgjedhje, ta fajësojë opozitën për moszgjedhjen e presidentit. Kryeministri Kurti po dëshiron që ta marrë nën udhëheqje edhe postin e presidentit”, tha Bytyqi.

Ambasada e Gjermanisë në Kosovë, në një përgjigje për RTV21, ka kërkuar nga përfaqësuesit e institucioneve që ta respektojnë plotësisht vendimin e Gjykatës Kushtetuese sapo ai të merret. Kjo thirrje e ambasadës është bërë në një kohë kur zyrtarët e LVV-së presin nga Gjykata Kushtetuese të vendosë në favor të kërkesës së tyre që dekreti i presidentes Vjosa Osmani të shpallet kundërkushtetues.

“Ambasada gjermane nuk komenton proceset aktuale të Gjykatës Kushtetuese. Megjithatë, ne presim që të gjitha institucionet ta respektojnë plotësisht vendimin e Gjykatës Kushtetuese sapo ai të merret”, thuhet nga Ambasada e Gjermanisë.

spot_img
ARTIKUJ TË TJERË
- Advertisment -spot_img

Më të lexuarat