Komisioni i përhershëm i arteve, pjesë e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë (ASHSH), në bashkëpunim me Institutin e Historisë promovuan sot librin “Sali Vranishti kapedani që nuk i mbylli sytë as në bronz”, i autorit Arben Saliu, nipi i Heroit të Popullit.
Akademiku Hamit Kaba theksoi se Sali Vranishti është një figurë e rëndësishme historike, që në mendjet dhe zemrat e popullit është kthyer në një figurë legjendare e mitike.
Zëvendëskryetari i Akademisë së Shkencave, Vasil Tole, kryetar i Komisionit të përhershëm të arteve pranë ASHSH-së, vuri në dukje rëndësinë e librit si dëshmi të jetës dhe aktivitetit patriotik të Vranishtit. Ai e prezantoi Vranishtin si njeriun këngë, ndërsa e vlerësoi figurën e tij në këngët e rrëfenjat popullore si të prekshme lidhur me jetën dhe aktivitetin e tij patriotik për Shqipërinë. Ai u shpreh se Sali Vranishti është vlerësuar me epitete që reflektojnë vlerësimin autentik të popullit, jashtë klasifikimeve formale shoqërore dhe akademike.
Tole theksoi se në këngët e popullit përfshihet gjithmonë kategoria e më të shquarve dhe kënga popullore për Sali Vranishtin mbetet një monument i pavdekësisë.
Akademiku Shaban Sinani u shpreh se ky është një libër polifonik që ka ritestuar mendimin shqiptar për këtë figurë në një periudhë kur shumë vlera dhe trashëgimi, jo në mënyrë objektive, por për shkaqe të tjera herë pas here janë vënë në pikëpyetje.
Mos ju duket aspak e çuditshme, shtoi ai se dhe figura e Sali Vranishtit, kapedani i luftës së Vlorës, një prej epiqendrave të asaj qëndrese, dhe një figurë kombëtare që nderon Shqipërinë dhe lirinë e saj, e ka kaluar këtë test në një kohë të vështirë.
Sinani theksoi se janë të pakta figurat e historisë shqiptare, por edhe në Ballkan, që kënga t’u jetë dhuruar edhe kur kanë qenë gjallë.
Më tej, për figurën e Vranishtit folën akademiku Hamit Kaba, Luan Rama dhe prof. asoc. Mareglen Kasmi, të cilët duke iu referuar dokumenteve historike e vlerësuan Sali Vranishtin si simbol dhe figurë të shquar të kujtesës kombëtare për qëndrimet e tij ndaj osmanëve dhe aktivitetin e tij në periudhën e shpalljes së Pavarësisë.
Në mbyllje të veprimtarisë, autori Arben Saliu falënderoi kryetarin e Akademisë së Shkencave akad. Skënder Gjinushin, miqtë e familjes dhe mentorët. Ai theksoi vështirësinë dhe rëndësinë e dokumentimit të jetës së gjyshit të tij, që nëpërmjet dëshmive dhe fotografive të këtij libri të mund të ruhet kujtesa historike dhe shpirtërore për brezat e rinj. /atsh



