spot_img
E enjte, 19 Mars, 2026
12:50
HomeKosovaKosova mbetet “pjesërisht e lirë”, shënon rritje në raportin e Freedom Hous

Kosova mbetet “pjesërisht e lirë”, shënon rritje në raportin e Freedom Hous

Për lajme të shkurtra dhe informuese, ndiqni kanalin tonë në YouTube!
🔗 Kliko: KËTU

Kosova është cilësuar si vend “pjesërisht i lirë” në raportin më të fundit vjetor të organizatës Freedom House me seli në Uashington.

Megjithatë, Kosova ka shënuar një përmirësim të vogël në Raportin e vitit 2026 për “Lirinë në Botë”, duke u vlerësuar me 61 pikë nga 100, një më shumë se një vit më parë.

- Advertisement -

Në raportin e publikuar më sot thuhet se në Kosovë “gjykatat kanë nxjerrë vendime që dëshmojnë pavarësinë e tyre, megjithëse janë përballur me trysni të madhe politike”.

Sipas raportit, kriza politike dhe institucionale që goditi Kosovën gjatë vitit të kaluar, kur vendi u qeveris pothuajse gjatë gjithë kohës nga një qeveri në detyrë, ka ndikuar në përparimin e vendit në sistemin gjyqësor.

- Advertisement -

“Në Kosovë, për shembull, ligjvënësit e sapozgjedhur nuk arritën të formonin një qeveri për pjesën më të madhe të vitit, ndërsa qeveria në detyrë thuhet se e tejkaloi mandatin e saj teknik, duke rezultuar në zgjedhje të parakohshme; kjo bllokadë i zbehu përparimet e vendit në pavarësinë gjyqësore dhe sigurinë fizike”, thuhet në raport.

Në raportin paraprak, kur Kosova kishte 60 pikë, vendi vlerësohej se kishte shumë institucione publike të minuara nga korrupsioni, se gazetarët përballeshin me frikësim dhe se sundimi i ligjit pengohej nga ndërhyrjet dhe mosfunksionimi në sistemin gjyqësor.

Shqipëria, ndërkohë, vlerësohet më së larti me 69 pikë. Edhe Shqipëria ka shënuar përparim prej një pike, krahasuar me raportin e vitit të kaluar.

Nga vendet e rajonit, Serbia renditet më së keqi, me 53 pikë, ndërsa Bosnja dhe Hercegovina ka 54 pikë.

Ndërkohë, Mali i Zi vlerësohet me 68 pikë dhe Maqedonia e Veriut me 67 pikë.

Raporti “Liria në Botë” përfshin vlerësime për të drejtat politike dhe liritë qytetare në 195 vende dhe 13 territore në mbarë botën.

Raporti i këtij viti mbulon zhvillimet nga 1 janari 2025 deri më 31 dhjetor 2025.

spot_img
ARTIKUJ TË TJERË
- Advertisment -spot_img

Më të lexuarat