Presidenti Donald Trump urdhëroi Pentagonin të pezullojë për pesë ditë të gjitha sulmet mbi rrjetin elektrik dhe energjetik të Iranit, duke cituar progres në negociatat për mbylljen e luftës, pavarësisht mohimit të prerë nga ana e Teheranit.
Brenda 48 orëve, retorika e Donald Trump ka kaluar nga kërcënimi për “shkatërrim total” në deklarata për “biseda shumë të mira dhe produktive”. Presidenti njoftoi se ka urdhëruar një dritare 5-ditore pa sulme mbi infrastrukturën energjetike, duke e kushtëzuar këtë me suksesin e diskutimeve që ai pretendon se po ndodhin në fshehtësi. Kjo lëvizje vjen pasi Irani injoroi ultimatumin e tij për hapjen e Ngushticës së Hormuzit.
Reagimi i tregjeve financiare ishte i menjëhershëm dhe masiv. Indeksi Dow Jones u rrit me 1,000 pikë, ndërsa çmimi i naftës Brent ra me mbi 10%, duke zbritur në 96 dollarë për fuçi. Kjo është rënia e parë domethënëse pas tre javësh lufte, ku çmimi i benzinës në SHBA kishte kapur shifrën rekord prej 4 dollarë për gallon, nga 2.90 dollarë sa ishte para konfliktit.
Megjithatë, optimizmi i Trumpit po ndeshet me një mur nga ana e Iranit. Media shtetërore në Teheran ka mohuar çdo lloj negociate, direkte apo indirekte, me Uashingtonin. Irani vazhdon të mbajë “në fyt” ekonominë botërore përmes bllokimit të Hormuzit, duke paralajmëruar se do të vendosë mina detare nëse SHBA tenton ndonjë pushtim të ishujve apo brigjeve të tyre.
Aktualisht mbetet e paqartë nëse Izraeli është pjesë e këtyre bisedimeve të pretenduara. Diplomacia amerikane dhe ajo iraniane janë përplasur historikisht për programin bërthamor dhe raketat balistike, çka e bën një zgjidhje brenda pesë ditëve të duket pothuajse e pamundur. Shumë analistë dyshojnë se Trump po tenton të qetësojë tregjet e brendshme përpara se të ndërmarrë hapin e radhës.
Nëse pas pesë ditësh Ngushtica e Hormuzit mbetet e mbyllur dhe Irani nuk lëshon pe në programin e pasurimit, sulmet e Pentagonit pritet të rikthehen me një intensitet të dyfishtë. Pesë ditët e ardhshme do të përcaktojnë nëse bota po shkon drejt një de-eskalimi historik apo nëse kjo është thjesht qetësia përpara stuhisë më të madhe që ka parë Lindja e Mesme.



