Thuajse tri dekada pas ndërhyrjes së NATO-s, e cila ndryshoi rrjedhën e historisë duke hapur rrugën drejt lirisë dhe shtetësisë, aspiratat për integrim në strukturat euroatlantike mbeten prioritet i Republikës së Kosovës.
Ndërhyrja ushtarake e NATO-s mbi caqet serbe mbetet një nga momentet kyçe për rrugëtimin shtetformues të Kosovës. Duke marrë për bazë se Kosova ndodhet në fazën e konsolidimit institucional, një nga synimet kryesore mbetet edhe anëtarësimi në organizata ndërkombëtare, përfshirë aleancën veriatlantike.
“Por bombardimet e NATO-s në caqet serbe janë kthesa e madhe ushtarake dhe më pas edhe politike për Kosovën si shtet i pavarur, ku Kosova tani veç është në fazën e konsolidimit të plotë të institucioneve dhe njëkohësisht të fitimit të të drejtës, ose ka për synim anëtarësimin në organizata ndërkombëtare, fillimisht në OKB e më pas, pa mëdyshje, që është interes shumë i madh të anëtarësohet edhe në NATO. Kur mund të anëtarësohet dhe cilat janë pengesat është temë tjetër, por synimi përfundimtar është që Kosova të jetë në NATO dhe i ka plotësuar kushtet edhe në aspektin ushtarak dhe të tjera. Kosova është e denjë të jetë një anëtare e re e organizatës edhe më tutje më e fuqishme ushtarake dhe politike në botë”, tha Fatmir Çollaku, profesor universitar, raporton televizioni publik i Kosovës.
Ndërkohë, mbështetja ndërkombëtare për këtë rrugëtim vazhdon. Ambasadori gjerman në RTK Prime, ditë më parë, ka ritheksuar përkrahjen për aspiratat e Kosovës drejt integrimit në Bashkimin Evropian dhe strukturat euroatlantike.
Edhe ish-zëdhënësi i NATO-s gjatë luftës, Jamie Shea, e konsideron të domosdoshëm afrimin e mëtejshëm të Kosovës me aleancën.
“Unë jam një mbështetës i vendosur që Kosova të bëhet anëtare e plotë e Partneritetit për Paqe. NATO duhej t’ia kishte ofruar Kosovës këtë mundësi që prej vitesh. Kjo do të hapte shumë më tepër rrugë për bashkëpunim praktik me NATO-n sesa grupi i kufizuar i aktiviteteve për të cilat aleatët kanë rënë dakord deri më tani dhe është një zhvillim logjik për një vend si Kosova që synon anëtarësimin në NATO. Nuk e shoh pse çështja e njohjes duhet të përdoret për të penguar Kosovën të hedhë hapin e parë drejt integrimit në NATO duke iu bashkuar Partneritetit për Paqe, një hap që dy duzina vendesh të tjera evropiane e kanë ndërmarrë prej kohësh. Kosova ndan vlerat e NATO-s dhe ka treguar se dëshiron të kontribuojë në sigurinë e përgjithshme të NATO-s dhe jo vetëm të përfitojë nga siguria që NATO mund t’i ofrojë Kosovës, për shembull përmes KFOR-it”, theksoi Jamie Shea, ish-zëdhënës i NATO-s.
Në 27-vjetorin e ndërhyrjes së NATO-s, Kosova, teksa kujton të kaluarën, shikon drejt së ardhmes me synimin për t’u bërë pjesë e strukturave më të rëndësishme ndërkombëtare të sigurisë dhe politikës globale.



