Vjosa Osmani do të jetë presidente, “zyrtarisht” dhe me ligj, edhe pas 4 prillit, kur pritet ta mbarojë mandatin e saj aktual si kryetare shteti, nëse nuk ndodh ndonjë “mrekulli” që do ta mbante atë në zyrë, edhe për një mandat tjetër.
Vazhdimin e këtij statusi asaj ia garanton ligji për Presidentin e Republikës së Kosovës. Më saktësisht, pika 3 e nenit 18 të këtij akti juridik.
“Pas përfundimit të mandatit për të cilin është zgjedhur, thirrja “President” vazhdon të vlejë për Presidentin e Republikës të cilit i ka përfunduar mandati në pajtim me paragrafin 1 të këtij neni”, thuhet në këtë pikë.
Pos këtij privilegji, Osmani, nëse nuk vendos ndryshe për të ardhmen e saj, fiton edhe privilegje e benefite tjera, në cilësinë e presidentes që i ka përfunduar mandati. Këtu përfshihet edhe paga, gjatë gjithë jetës, në nivelin prej 70 për qind të rrogës që ka marrë sa ka qenë në detyrë.
Po ashtu, Osmani ka të drejtën e shfrytëzimit të pasaportës diplomatike, sikur edhe bashkëshorti i saj, gjithë jetën.
Megjithatë, këto benefite mund të përfundojnë, nëse ajo ose cilido president a presidente që ka kryer mandatin, në mënyrë të rregullit, vendos ndryshe, raporton KP.
“Presidenti i Republikës së Kosovës, të cilit i përfundon mandati mund t’i pushojnë me kërkesën e tij/saj të drejtat e caktuara me këtë ligj”, thuhet në nenin 23 të këtij dokumenti.



