Kompania Rajonale e Ujësjellësit (KRU) „Prishtina“ u ka bërë thirrje qytetarëve për përgjegjësi më të lartë në pagesat e faturave të ujit, duke bërë të ditur se kompania aktualisht përballet me një borxh masiv prej 45 milionë eurosh.
Në një reagim zyrtar, ujësjellësi ka potencuar se pagesat e rregullta janë jetike për funksionimin e sistemit dhe furnizimin e qëndrueshëm me ujë të pijshëm. Sipas kompanisë, mbajtja e shtetit dhe e shërbimeve bazë varet drejtpërdrejt nga gatishmëria e qytetarëve për të shlyer obligimet e tyre.
„Shteti mbahet duke paguar shërbimet bazë, siç është uji. Megjithatë, përballë një borxhi prej 45 milionë eurosh për këtë shërbim jetik, lind pyetja: çfarë po bëjmë ne? A do të vazhdojmë të presim duarkryq, apo do të marrim përgjegjësi si qytetarë?“, thuhet ndër rreshta në reagimin e KRU „Prishtina“.
Më tej, kompania thekson se pagesa e rregullt nuk duhet parë vetëm si një obligim ligjor, por si një kontribut për të ardhmen e përbashkët dhe për garantimin e një sistemi funksional të shërbimeve. „Është koha për veprim“, përfundon thirrja e ujësjellësit drejtuar konsumatorëve.



