spot_img
E shtunë, 28 Mars, 2026
16:34
HomeKosovaPezullohet ekspozita për masakrat e vendosur në sheshin qendror të Prishtinës

Pezullohet ekspozita për masakrat e vendosur në sheshin qendror të Prishtinës

Për lajme të shkurtra dhe informuese, ndiqni kanalin tonë në YouTube!
🔗 Kliko: KËTU

Një ekspozitë e vendosur në sheshin qendror të Prishtinës, e dedikuar masakrave të luftës në Kosovë, ka nxitur reagime të forta pasi u konstatua se përmban pasaktësi serioze në paraqitjen e fakteve. Debati që pasoi jo vetëm që çoi në pezullimin e saj, por edhe riktheu në vëmendje sfidat e mëdha në dokumentimin e saktë të së kaluarës dhe ruajtjen e së vërtetës historike.

Një ekspozitë e hapur në sheshin qendror të Prishtinës për të përkujtuar përvjetorin e bombardimeve të NATO-s është bërë objekt polemikash të forta publike, pasi në të janë identifikuar pasaktësi të shumta lidhur me viktimat e luftës në Kosovë. Reagimet e të mbijetuarve, përfaqësuesve institucionalë dhe opinionit publik çuan në pezullimin e saj nga Komuna e Prishtinës.

- Advertisement -

Ekspozita, e financuar ndër të tjera nga Kuvendi i Kosovës dhe e bazuar në librin “Masakrat në Kosovë 1998–1999”, paraqet të dhëna që sipas kritikëve deformojnë realitetin historik. Një nga çështjet më të ndjeshme lidhet me klasifikimin e një pjese të viktimave civile si persona të armatosur.

I mbijetuari i Masakrës së Dubravës, Enver Dugolli, reagoi ashpër duke theksuar se të dhënat e paraqitura janë “krejtësisht të pasakta”. Sipas tij, në ekspozitë figurojnë 106 të vrarë, ndërsa numri i konfirmuar është 116 të vrarë dhe një i zhdukur. Ai kundërshtoi fuqishëm edhe pretendimin se 48 prej tyre kanë qenë të armatosur, duke deklaruar se “në atë masakër nuk ka pasur asnjë shqiptar të vrarë si person i armatosur”.

- Advertisement -

“Në atë masakër gjenocidale nuk ka pasur asnjë shqiptar të vrarë në cilësinë e personit të armatosur. Të gjithë kemi qenë duarthatë dhe të pambrojtur”, ka theksuar Dugolli.

Edhe i mbijetuari tjetër, Sadik Zeqiri, e cilësoi ekspozitën si shtrembërim të rëndë të së vërtetës, duke theksuar se të gjithë viktimat në Dubravë kanë qenë të pambrojtur dhe se mbi 400 persona janë plagosur gjatë asaj ngjarjeje.

“Turp! Po shtrembërohet e vërteta në sheshin e Prishtinës. Historia nuk është lodër që mund ta shtrembëroni me disa tabela të pasakta. A e keni parë çfarë keni shkruar për masakrën e Dubravës? Si është e mundur të pretendoni se 48 shqiptarë të armatosur dhe 58 civilë janë vrarë në Dubravë? Nga i keni marrë këto “fakte”? Në Serbi? Në Dubravë nuk ka pasur të burgosur të armatosur”, ka theksuar ai.

Reagime pati edhe nga niveli institucional. Ministri për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, e quajti ekspozimin e materialeve të tilla “të papranueshëm” dhe “cenim të drejtpërdrejtë të së vërtetës historike”. Ai theksoi se pasaktësi të ngjashme janë evidentuar edhe për masakra të tjera, përfshirë atë të Krushës së Madhe, ku sipas tij është paraqitur gabimisht narrativa se gratë dhe fëmijët janë kursyer.

“Në rastin e masakrës në Krushë të Madhe, përveç pasaktësive në numrin e viktimave, paraqitet edhe një narrativë e rrezikshme dhe e pavërtetë, sipas së cilës gratë dhe fëmijët kinse janë lejuar të largohen, ndërsa burrat janë vrarë. Kjo nuk qëndron.  Në Krushë të Madhe janë vrarë edhe gra, përfshirë gra shtatzëna, çka e rrëzon çdo përpjekje për ta paraqitur këtë krim si një veprim ‘selektiv’”, ka shkruar ai në Facebook.

Pas këtyre reagimeve, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, njoftoi pezullimin e menjëhershëm të lejes për ekspozitën, duke deklaruar se nuk do të lejohet “të përdhoset dinjiteti i qytetarëve dhe të fyhet kujtesa kolektive”.

“Ekspozita paraqet një version të pasaktë të Masakrës së Dubravës. Kjo është e papranueshme dhe përbën fyerje të drejtpërdrejtë ndaj viktimave dhe gjithë qytetarëve të Kosovës. Për këtë arsye, sonte menjëherë e pezullojme lejen për këtë ekspozim në sheshin e Prishtinës”, ka shkruar ai në Facebook.

Kontestimet nuk kufizohen vetëm në rastin e Dubravës. Në ekspozitë, për Masakrën e Reçakut përmenden 37 civilë të vrarë, ndërkohë që burime të tjera flasin për të paktën 45 viktima. Po ashtu, për sulmet në Prekaz (5–7 mars 1998) paraqiten 40 civilë të vrarë, ndërsa të dhënat alternative përmendin 59 viktima. Kritika ka pasur edhe për mungesën e përfshirjes së disa masakrave, si ajo e Belegut.

Organizatat që qëndrojnë pas ekspozitës, “Admovere” dhe “Integra”, kanë sqaruar se janë mbështetur në “Librin e Kujtimit të Kosovës” të Humanitarian Law Center (HLC). Sipas tyre, në këtë burim disa persona janë regjistruar si të armatosur edhe pse në momentin e vrasjes kanë qenë civilë të paarmatosur, çka mund të ketë shkaktuar keqkuptime në interpretim.

Autori i ekspozitës, Shkëlzen Gashi, e ka zhvendosur theksin te mungesa e një liste zyrtare shtetërore të viktimave të luftës, duke argumentuar se kjo krijon hapësirë për mospërputhje. Ai ka deklaruar se organizatorët janë mbështetur në të vetmin burim të plotë ekzistues dhe se verifikimi individual i çdo rasti nuk ka qenë përgjegjësi e tyre.

Gashi ka përsëritur se përgjegjësia për hartimin e një liste zyrtare, të saktë dhe gjithëpërfshirëse të viktimave të luftës i takon institucioneve të Kosovës, të cilat, sipas tij, do të duhej prej kohësh ta përditësonin listën ekzistuese dhe ta hartonin një listë shtetërore.

Nga ana tjetër, Kuvendi i Kosovës ka sqaruar se mbështetja financiare për projekte të tilla nuk nënkupton verifikim apo miratim të përmbajtjes së tyre. Sipas këtij institucioni, përgjegjësia për saktësinë e të dhënave mbetet tek autorët dhe organizatorët.

Përmbajtja dhe qëndrimet e paraqitura në kuadër të ekspozitës mbeten përgjegjësi e autorëve dhe organizatorëve të saj”, thuhet në njoftimin e Kuvendit.

Tutje, Kuvendi thekson se kjo është një praktikë standarde në mbështetjen e projekteve kulturore dhe nuk mund të keqinterpretohet si miratim apo redaktim i narrativës së paraqitur.

Në të njëjtën kohë, sipas Kuvendit, mbrojtja e dinjitetit të viktimave dhe kujtesës kolektive mbetet obligim i përbashkët institucional dhe shoqëror, që kërkon trajtim të përgjegjshëm dhe të qëndrueshëm.

Kuvendi ka bërë të ditur se, në këtë rast, do t’ua adresojë shqetësimet e ngritura organizatorëve të ekspozitës.

Rasti ka nxjerrë në pah një problem më të gjerë: mungesën e një regjistri të unifikuar dhe zyrtar për viktimat e luftës në Kosovë.

Organizatorët dhe institucionet kanë bërë thirrje që një listë e tillë të hartohet sa më parë, në mënyrë që të shmangen keqinterpretimet dhe të ruhet integriteti i kujtesës historike. /RTK

spot_img
ARTIKUJ TË TJERË
- Advertisment -spot_img

Më të lexuarat