Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se vizita zyrtare në Francë dhe takimi me presidentin Emmanuel Macron kanë qenë arsyet kryesore për mungesën e deritanishme të konsultimeve me liderët e partive opozitare rreth çështjes së presidentit.
Në një konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë, Kurti theksoi se tashmë që është kthyer nga Parisi, do të nisë procedurat për koordinim të brendshëm. Ai bëri të ditur se do të dërgojë ftesa zyrtare për takime me kryetarët e partive opozitare, me qëllim që të sigurohet stabiliteti i nevojshëm për zgjedhjen e kreut të shtetit brenda afatit 34-ditor të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese.
„Unë jam kthyer mbrëmë nga Parisi, ku kishim një vizitë dhe takim shumë përmbajtësor me presidentin francez, Emmanuel Macron. Prandaj, nuk kisha kohë të mjaftueshme për t’i bërë konsultimet e brendshme për takimet e ardhshme“, deklaroi Kurti para gazetarëve.
Synimi për një kuorum të gjerë: „Mbi 80 deputetë“ Kryeministri u shpreh se synimi i tij nuk është vetëm arritja e minimumit kushtetues prej 80 votash, por një mbështetje më e gjerë në Kuvend për të garantuar procesin.
„Do të bëj ftesa për takime me kryetarët e partive opozitare në mënyrë që të shohim rrugët për të arritur numrin prej së paku 80 deputetëve. Po e ritheksoj, besoj se nuk është mirë të jemi vetëm 80 apo 81, duhet të jemi rreth 84 deri në 86 deputetë në mënyrë që ta zgjedhim presidentin“, shtoi ai.
I pyetur për ofertat e mundshme apo kompromiset që mund t’u propozohen partive opozitare (PDK, LDK, AAK), Kurti preferoi të mos jepte detaje, duke thënë se përmbajtja e diskutimeve do të zbulohet vetëm pasi të ndodhin takimet.



