Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kundërshtuar hapur kërkesat për heqjen e akcizës dhe TVSH-së për produktet e naftës, duke njoftuar në vend të kësaj një pako të re mbështetëse prej 200 milionë eurosh.
Sipas Kurtit, propozimet për prekjen e taksave të naftës nuk bazohen në analiza të mirëfillta dhe rrezikojnë të favorizojnë vetëm fitimet e mëdha të tregtarëve, në vend që t’u shërbejnë qytetarëve. Ai theksoi se çmimet e larta diktohen nga tregu botëror dhe krizat në ngushticën e Hormuzit dhe Teheran.
„Bindja ime e fuqishme është që këto propozime nuk janë të menduara mirë. Është shumë e rëndësishme që të kemi kujdes të mos u shërbejmë super-profiteve të ndokujt, në vend që t’ua zbusim barrën qytetarëve“, deklaroi Kurti gjatë konferencës për media.
Mbështetja 200 milionëshe dhe tavani i çmimeve Në vend të ndërhyrjes në akcizë, kryeministri njoftoi dy lëvizje kryesore të qeverisë:
-
Pakoja 200 milionë euro: Një mbështetje direkte për qytetarët që ta përballojnë më lehtë rritjen e çmimeve dhe inflacionin.
-
Ligji për tavanin e çmimeve: Pas përfundimit të procedurave në Kushtetuese, qeveria do të vendosë çmime tavan për produktet bazë.
Kurti garantoi se Ministria e Industrisë është në komunikim të vazhdueshëm me ekspertët për të gjetur mënyrat më efektive që mbrojnë konsumatorin, pa dëmtuar stabilitetin buxhetor të vendit.



