Artisti i njohur Gjesti ka njoftuar se do të dorëzojë kallëzim penal ndaj kompanisë „Onima“, stafit dhe bashkëpunëtorëve të saj, lidhur me pretendimet për keqpërdorim të të drejtave të autorit.
Sipas këngëtarit, kjo kompani, pa dijeninë dhe pa autorizimin e tij paraprak, ka nënshkruar kontrata që lidhen me të drejtat e autorit për të gjitha veprat e tij muzikore. Ky veprim, sipas Gjestit, përbën shkelje të rëndë ligjore dhe cënim të pronësisë intelektuale.
Kallëzimi penal është hartuar në konsultim të ngushtë me avokatët e artistit, Artan Çerkini dhe Burim Azemi, të cilët do të ndjekin procedurat ligjore në organet e drejtësisë.
„Kjo kompani, pa autorizimin tim, ka nënshkruar kontrata rreth të drejtave të autorit për të gjitha veprat e mia“, ka bërë të ditur artisti, duke paralajmëruar se nuk do të lejojë asnjë lloj keqpërdorimi të krijimtarisë së tij artistike.




