Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka njoftuar se Ministria e Shëndetësisë ka miratuar zgjerimin e grup-moshave për vaksinimin kundër virusit HPV, që shërben për parandalimin e kancerit të qafës së mitrës.
Ky vendim vjen pas rekomandimit të Komitetit Profesional Këshillues për Imunizim (KPKI) dhe bazohet në evidencat më të fundit shkencore ndërkombëtare. Synimi kryesor është rritja e mbrojtjes së popullatës ndaj infeksioneve me HPV dhe ulja e rrezikut nga kanceret e lidhura me këtë virus te të dy gjinitë.
Kategoritë e reja të vaksinimit:
-
Deri në moshën 26-vjeçare: Vaksinimi do të ofrohet në mënyrë vullnetare për të gjithë të rinjtë që nuk janë vaksinuar më parë.
- Advertisement - -
Mosha 26–45 vjeç: Personat e kësaj grup-moshe mund të vaksinohen me rekomandim të mjekut, bazuar në vlerësimin individual të rrezikut dhe përfitimit.
-
Vaksinimi rutinë: Vazhdon sipas kalendarit të rregullt për fëmijët 11–12 vjeç (nxënësit e klasës së gjashtë).
Pse është i rëndësishëm ky vaksinim? Virusi HPV është shkaktari kryesor i kancerit të qafës së mitrës. Vaksina mbron nga tipet më të rrezikshme të virusit, redukton ndjeshëm rrezikun për lezione para-kanceroze dhe është vërtetuar si shumë efektive nëse merret para ekspozimit ndaj virusit.
Zgjerimi i këtij procesi pritet të sjellë mbrojtje më të gjerë për të rinjtë, ulje të rasteve të kancerit në të ardhmen dhe përmirësim të përgjithshëm të shëndetit publik në Kosovë.



