Ish-kapiteni legjendar i Kombëtares së Shqipërisë, Lorik Cana, ka folur për rëndësinë e jashtëzakonshme të ndeshjes mes Kosovës dhe Turqisë, e cila luhet sonte në orën 20:45 në stadiumin „Fadil Vokrri“.
Në një intervistë për Euronews Albania, Cana u shpreh se emocionet për këtë përballje i ndiejnë të gjithë shqiptarët, pa dallim trojesh, por për ata që kanë lindur dhe janë rritur në Kosovë, kjo mbrëmje mbetet tejet e veçantë.
„Do të kemi të gjithë emocione, pavarësisht se nga cilat troje shqiptare jemi. Por për ne që jemi nga Kosova, të lindur dhe të rritur atje, kjo mbetet më e veçantë, kjo është e pamohueshme“, deklaroi fillimisht Cana.
I pyetur nëse i vjen keq që nuk ka pasur mundësinë ta veshë fanellën e Kosovës gjatë karrierës së tij, Cana dha një përgjigje plot pjekuri, duke e cilësuar epokën e tij si përmbushje të një ëndrre të përbashkët mbarëshqiptare.
„Besoj se secili jeton një kapitull në një moment të caktuar dhe atë kapitull duhet ta përmbushë në mënyrën më të mirë. Ne kemi jetuar kapitullin ku kemi shndërruar në realitet ëndrrën e shqiptarëve për t’u përfaqësuar me një simbol dhe fanellë kombëtare – jo vetëm ata të Kosovës, por edhe të Maqedonisë e Luginës“, u shpreh ai.
Sipas Canës, fitorja e mundshme e sonte do të tejkalonte kornizat e sportit, duke u rreshtuar krah momenteve më të rëndësishme të shtetësisë.
„Sonte është një kapitull tjetër. Janë djem të rritur në Kosovën e pasluftës dhe në diasporë, të cilët mund të arrijnë një nga gjërat më të rëndësishme. Ndoshta, pas shpalljes së Pavarësisë, kjo është ngjarja më e rëndësishme për afirmimin e Kosovës në botë“, përfundoi Cana.



