Një restorant në Prishtinë ka vendosur të mirëpresë tifozët turq me një gjest simbolik dhe tejet prekës, duke ofruar kafe dhe çaj falas për të gjithë ata që kanë ardhur në kryeqytet për të ndjekur ndeshjen historike në stadiumin „Fadil Vokrri“.
Në hyrje të lokalit është vendosur një njoftim që po qarkullon me shpejtësi në rrjetet sociale, ku shfaqet mikpritja e njohur shqiptare e gërshetuar me mirënjohjen historike. Mesazhi i shkruar në hyrje thotë: „Sot rivalë, por gjithmonë miq“.
Megjithatë, ajo që ka goditur më së shumti emocionet e qytetarëve është pjesa tjetër e njoftimit, ku pronarët e restorantit kujtojnë ndihmën e Turqisë gjatë luftës në Kosovë.
„Kafe dhe çaj falas për tifozët turq. Borxhin e keni larë në vitin 1999“, thuhet në mesazhin e plotë, duke iu referuar përkrahjes që shteti turk i dha popullit të Kosovës në momentet më të vështira të historisë sonë.
Ky gjest tregon se futbolli shpesh shkon përtej fushës së gjelbër, duke shërbyer si urë lidhëse mes popujve. Ndeshja e shumëpritur mes Kosovës dhe Turqisë nis sonte në orën 20:45, ndërsa atmosfera në Prishtinë tashmë është në kulmin e saj.



