Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka reaguar pas ndeshjes së mbrëmshme të zhvilluar në stadiumin “Fadil Vokrri”, duke shprehur pikëllimin, por edhe mbështetjen për përfaqësuesen.
Në një postim në Facebook, Kurti tha se të gjithë qytetarët janë ende të pikëlluar nga rezultati, duke theksuar se ekziston një “merak kolektiv” për atë që mund të ishte bërë ndryshe në fushë.
Ai nënvizoi se, pavarësisht rezultatit, përfaqësuesja e Kosovës ka dhuruar emocione të jashtëzakonshme dhe ka bërë krenar gjithë kombin ndër vite.
“Fakti që ishim kaq pranë kualifikimit tregon sa afër madhështisë jemi. Dhe shpejt, aty do të jemi”, tha Kurti.
Kryeministri falënderoi lojtarët, trajnerin dhe stafin për angazhimin e tyre në çdo ndeshje, duke bërë thirrje për mbështetje të vazhdueshme ndaj ekipit kombëtar.
Në fund, ai përmbylli mesazhin me thirrjen: “Forca Kosovë!”.



