Më 1 prill të vitit 1934 lindi në Prespë (Kranjë), Ali Aliu, një nga figurat më të shquara të mendimit dhe studimeve letrare shqiptare, akademik, shkrimtar, eseist, kritik letrar dhe përkthyes.
Arsimin fillor tetëvjeçar e përfundoi në Manastir në vitin 1951, ndërsa Shkollën Normale në Shkup në vitin 1955. Studimet universitare në degën e albanologjisë i kreu në Universitetin e Beogradit në vitin 1960, ndërsa doktoraturën e mbrojti në Universitetin e Prishtinës më 1973. Këto etapa arsimore shënuan themelet e një karriere të gjatë dhe të suksesshme në fushën e studimeve letrare.
Veprimtaria e tij profesionale nisi në gazetarinë kulturore, si pjesë e redaksisë së gazetës “Flaka e vëllaznimit” në Shkup, ku punoi për dhjetë vite. Më pas, nga viti 1969 deri më 1972, ishte redaktor në edicionin e botimeve “Rilindja” në Prishtinë. Që nga viti 1972 ai kontribuoi në arsimin e lartë si ligjërues në Fakultetin Filozofik dhe më pas në Fakultetin e Filologjisë të Prishtinës, ku ligjëroi lëndën Teori e letërsisë, duke formuar breza të tërë studentësh dhe studiuesish.
Në vitin 1996 u zgjodh anëtar korrespondent, ndërsa në vitin 2000 anëtar i rregullt i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës. Është anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe i Akademisë të Shkencave dhe të Arteve të Maqedonisë. Kontributi i tij në jetën akademike shqiptare është i jashtëzakonshëm, sidomos në studimin e letërsisë bashkëkohore shqiptare, fushë në të cilën ka botuar një numër të madh veprash dhe studimesh të rëndësishme. Ai gjithashtu ka udhëhequr shumë kandidatë në nivelet e magjistraturës dhe doktoraturës.
Ali Aliu ka qenë aktiv edhe në jetën politike dhe institucionale. Ai ishte një nga themeluesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës në vitin 1989 dhe anëtar i kryesisë së saj për dy mandate, deri në vitin 1995. Në vitin 1991 drejtoi Zyrën e Kosovës në Tiranë, duke dhënë kontribut në përfaqësimin institucional të Kosovës në një periudhë të rëndësishme historike.
Ali Aliu është autor i dhjetëra veprave në fushën e kritikës letrare, teorisë së letërsisë, eseistikës dhe antologjive, ndër të cilat spikasin: “Kërkime”, “Shqyrtime”, “Rrjedhave të letërsisë”, “Ese letrare”, “Reflekse letrare”, “Teoria e letërsisë”, “Don Kishoti shqiptar”, “Miti ballkanik te Kadareja”, “Shtegtimi i metaforës”, “Kënaqësia e leximit” dhe shumë studime monografike për figura të rëndësishme të letërsisë shqiptare si Ismail Kadare, Dritëro Agolli, Fatos Arapi dhe Azem Shkreli.
Veprat e tij janë përkthyer dhe botuar edhe në gjuhë të tjera, si maqedonisht, bullgarisht dhe anglisht, duke e bërë kontributin e tij të njohur edhe në rrafshin ndërkombëtar.
Për kontributin e tij të shquar në kulturë, shkencë dhe letërsi, Ali Aliu është nderuar me një sërë çmimesh dhe vlerësimesh të rëndësishme, ndër të cilat “Nderi i Kombit”, akorduar nga Presidenti Bujar Nishani, “Medalja e Artë e Lidhjes së Prizrenit”, “Penda e Artë” nga Ministria e Kulturës Tiranë, çmimi shtetëror “11 Tetori” në Maqedoninë e Veriut, çmimi “Azem Shkreli” për vepër jetësore në Kosovë dhe shumë të tjera. /atsh



