Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, i ka dërguar një letër zyrtare Presidentes Vjosa Osmani, duke kërkuar që të procedohet pa vonesë me emërimin e anëtarit të dytë të PDK-së në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).
Përmes kësaj letre, Hamza ka theksuar se vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës në rastin KO81/26 ka sqaruar përfundimisht çdo paqartësi lidhur me këtë çështje. Sipas tij, ky aktgjykim konfirmon se përfaqësimi i PDK-së me dy anëtarë në KQZ është një e drejtë kushtetuese dhe jo çështje interpretimi politik.
Kreu i PDK-së argumenton se çdo mosveprim në këtë fazë do të përbënte shkelje të rendit kushtetues dhe do të krijonte një precedent të rrezikshëm për funksionimin demokratik të institucioneve në vend.
Formula e ndarjes së vendeve në KQZ Në letër, Hamza sqaron se bazuar në Kushtetutë dhe në përbërjen aktuale të Kuvendit, ndarja e vendeve në KQZ duhet të garantojë nga një anëtar për secilin grup parlamentar në raundin e parë. Ndërkaq, dy vendet e mbetura në raundin e dytë u takojnë dy grupeve më të mëdha parlamentare — në këtë rast Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) dhe PDK-së.
Hamza paralajmëron se çdo interpretim tjetër, i cili do t’i jepte një partie tri vende në KQZ, do të ishte në kundërshtim të hapur me frymën e Kushtetutës dhe me parimin e balancës institucionale.
Në mbyllje të letrës, kreu i PDK-së i ka bërë thirrje Presidentes Osmani që të veprojë në përputhje me mandatin e saj kushtetues, duke garantuar respektimin e të drejtave të subjekteve politike dhe integritetin e institucionit përgjegjës për organizimin e zgjedhjeve.




