Tekniku italian i Kombëtares së Brazilit, Carlo Ancelotti, ka dhënë përgjigjen përfundimtare lidhur me ftesën e yllit Neymar Jr për fazën finale të Kupës së Botës. Sipas raportimeve të fundit nga “ESPN”, emri i numrit 10 nuk figuron në listën e finalizuar të trajnerit.
Ky vendim vjen pas një periudhe të vështirë për sulmuesin, i cili ishte lënë jashtë edhe në ndeshjet miqësore ndaj Francës dhe Kroacisë, si pasojë e procesit të rikuperimit nga një dëmtim muskulor. Ancelotti thuhet se ka përcaktuar tashmë 24 nga 26 vendet e sigurta në skuadër, dhe 34-vjeçari nuk është pjesë e këtij grupi.
Fundi i një epoke për “10-shin” brazilian Në skenarin aktual, bëhet e ditur se tre lojtarë po luftojnë për dy vendet e mbetura në dispozicion: Lucas Paquetá, Endrick dhe Igor Thiago. Nëse ky vendim konfirmohet zyrtarisht, ai do të shënojë fundin e një epoke për Brazilin, ku Neymar ka qenë figura qendrore dhe lideri i padiskutueshëm i skuadrës për më shumë se një dekadë.
Projekti i ri i Ancelottit duket se synon ndërtimin e një ekipi më të balancuar dhe fleksibël, ku pesha kryesore i jepet kolektivit dhe jo performancës së individëve të veçantë. Megjithatë, për konfirmimin final duhet pritur data 18 maj, kur Brazili do të publikojë listën përfundimtare të lojtarëve të ftuar.



