Bordi i Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka reaguar ndaj raportimeve mediale lidhur me mosraportimin e tyre në Komisionin Parlamentar për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi, Tregti dhe Inovacion, duke i cilësuar ato si të pasakta.
Reagimi i ZRRE-së vjen pas dështimit të mbledhjes së komisionit, të planifikuar për të mërkurën, si pasojë e mungesës së kuorumit. Në sallë nuk ishin të pranishëm deputetët nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV), gjë që e bëri të pamundur zhvillimin e mbledhjes.
Sipas ZRRE-së, Bordi e kishte konfirmuar pjesëmarrjen në përputhje me ftesën zyrtare dhe ishte i pranishëm fizikisht në ambientet e Kuvendit të Republikës së Kosovës, i gatshëm për të raportuar dhe për t’u përgjigjur pyetjeve të deputetëve lidhur me vendimin për tarifat e energjisë elektrike.
“Megjithatë, mbledhja e Komisionit nuk u zhvillua për shkak të mungesës së kuorumit të nevojshëm”, thuhet në reagimin zyrtar të rregullatorit.
Keqardhje për keqinformimin e opinionit publik Bordi i ZRRE-së ka shprehur keqardhje për, siç thuhet, keqinformimin e opinionit publik nga disa media lidhur me prezencën dhe gatishmërinë e tyre për raportim para ligjvënësve.
Ky reagim vjen në një kohë kur tarifat e energjisë elektrike mbeten një nga temat më të nxehta të debatit publik, ndërsa mungesa e deputetëve të mazhorancës në komisione po shihet si pengesë për llogaridhënien e institucioneve të pavarura.



