Gjatë seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Rozeta Hajdari, ka deklaruar se qeveria ka ndërhyrë në tregun e derivateve aty ku ka qenë e nevojshme, ndërsa ka drejtuar kritika të ashpra ndaj propozimeve të opozitës dhe qeverisjeve të kaluara.
Sipas raportimit të Ekonomia Online, Hajdari e cilësoi kërkesën e opozitës për ulje të përkohshme të TVSH-së dhe akcizës si një veprim populist që bëhet pa një plan konkret për kompensimin e humbjeve në buxhetin e shtetit.
“Po propozohet ulja e përkohshme e TVSH-së ose akcizës, subvencionimi i sektorëve të ndjeshëm dhe mbështetje për transportin, por pa asnjë plan se si do të kompensohen ato. Kjo mund të tingëllojë mirë në aspektin partiak, por është ekonomikisht e papërgjegjshme dhe politikisht populiste. Këto të hyra nuk janë abstrakte; ato janë paga për mësuesit, për mjekët dhe investime në infrastrukturë”, deklaroi Hajdari.
Dilema e shkurtimeve të shërbimeve publike Deputetja e LVV-së pyeti kolegët nga opozita nëse janë të gatshëm t’u tregojnë qytetarëve se ulja e mundshme e çmimit të naftës do të rezultonte me më pak mbështetje për familjet dhe bizneset.
“A jemi gati t’u themi qytetarëve se do të ulet mbështetja dhe do të shkurtohen shërbimet publike për një masë që nuk garanton as ulje reale të çmimeve? Ne si grup parlamentar kemi ndërhyrë aty ku duhet: kemi formalizuar tregun, kemi eliminuar kostot e panevojshme dhe kemi rritur transparencën”, shtoi ajo.
Kritikat për „trashëgiminë e korrupsionit“ Hajdari nuk la pa përmendur as gjendjen e trashëguar në sektorin e ekonomisë, duke akuzuar qeveritë e kaluara për lidhje me monopole që, sipas saj, kanë penguar zhvillimin e tregut të lirë për një dekadë.
“U përballëm me një realitet të vështirë: keqpërdorimi dhe korrupsioni kishin zënë vend thellë, të lidhura me grupe interesi të afërta me politikën. Një nga shembujt është sektori i naftës, ku ligji kishte mbetur në pritje për më shumë se një dekadë për shkak të këtyre monopoleve. Ne kemi ndërmarrë hapa konkretë për t’i eliminuar këto praktika dhe për të krijuar mundësi të barabarta për të gjitha bizneset”, përfundoi deputetja Hajdari.



