Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, i ka reaguar ashpër ministres së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), Mimoza Kusari-Lila, gjatë seancës së jashtëzakonshme që po mbahet në Kuvendin e Kosovës për çmimin e derivateve.
Bajrami theksoi se Kusari-Lila gjatë fjalimit të saj ka rënë në kundërshtim të plotë me veten dhe politikat që po ndjek dikasteri i saj. Sipas deputetes së LDK-së, është e pakuptimtë që Qeveria të deklarojë se nuk mund të kontrollojë efektin e uljes së TVSH-së apo akcizës, ndërkohë që pretendon se po i cakton marzhat e fitimit për tregtarët.
“Ju e keni caktuar marzhën, e nderuar: 2 centë për shitje me pakicë dhe 12 centë për shitje me shumicë. Si ka mundësi të dilni në foltore e të thoni se nuk mund ta kontrolloni çmimin nëse hiqet TVSH-ja apo ulet akciza? Ju i caktoni marzhat! Nëse pranohet propozimi ynë për heqjen e 20 centëve të akcizës dhe uljen e TVSH-së nga 18% në 8%, ju keni të gjithë mekanizmin ta kontrolloni këtë”, deklaroi Bajrami.
Kritika për Ligjin e Naftës: „Pse nuk po funksionon kontrolli?“ Bajrami hodhi dyshime mbi efikasitetin e kontrollit të tregut, duke u shprehur se deklaratat e ministres konfirmojnë faktin se Qeveria nuk ka mekanizma funksionalë.
“Në momentin kur dikush deklaron çmimin e furnizimit, ju e llogaritni akcizën, TVSH-në dhe marzhën. Si mund të keqpërdoret kjo nga tregtarët nëse ju e kontrolloni? Me këtë që po thoni, po konfirmoni se as sot nuk po caktoni marzha dhe se manipulimi po vazhdon. Po ashtu, po pranoni se ligji që keni aprovuar nuk do të funksionojë sepse nuk keni mekanizëm kontrollues”, shtoi ajo.
“861 ditë pritje“: Akuzat për ligjin antikushtetues Në fund të fjalës së saj, ish-ministrja Bajrami riktheu vëmendjen te rrëzimi i ligjit nga Gjykata Kushtetuese, duke kërkuar përgjegjësi nga ekzekutivi.
“Gjykata Kushtetuese ta ka kthyer ligjin si antikushtetues. Duhet të kërkoni falje që në Kuvend keni miratuar një ligj të tillë, e jo të akuzoni opozitën. Janë bërë plot 861 ditë prej kohës kur Gjykata e ka kthyer atë ligj. Kryeministrit Kurti dhe ministrave të tij u janë dashur mbi dy vite për të adresuar vetëm tri çështje për të cilat nuk u dha të drejtë Gjykata”, përfundoi deputetja Bajrami.



