Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, i ka reaguar ashpër deputetes së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, duke e akuzuar për propagandë dhe deklarata të pavërteta lidhur me ligjin për çmimin e barnave.
Sipas raportimit të Ekonomia Online, Vitia deklaroi se shumica e barnave kanë pësuar ulje të çmimit falë ligjit të ri, të cilin asnjë qeveri tjetër nuk ka pasur guximin ta jetësojë deri më sot. Ai falënderoi deputetët e opozitës që e votuan këtë iniciativë, por u tregua i prerë ndaj akuzave të Bajramit për “milionerët” e farmacisë.
“Ato që i tha deputetja Bajrami janë komplet të pavërteta. Së pari, shumica e barnave me këtë ligj kanë pësuar ulje në çmim. Së dyti, ky është një ligj që asnjë nga qeveritë e tjera nuk ka pasur guximin ta bëjë. Vetëm kjo qeveri e mori këtë hap”, deklaroi Vitia nga foltorja e Kuvendit.
“Milionerët u bënë në kohën e LDK-së” Ministri Vitia hodhi akuza direkte drejt subjektit politik të Bajramit, duke thënë se kompanitë e mëdha farmaceutike, të cilat deputetja i përmend si milionere, janë krijuar dhe fuqizuar pikërisht gjatë kohës kur LDK-ja ishte në pushtet.
“Sa i përket milionerëve, deputetja Bajrami i ka përmendur disa herë pa asnjë arsye. Shumica e këtyre kompanive janë bërë në kohën e LDK-së dhe janë përkrahës të LDK-së, zonja Bajrami. Është shumë e rëndësishme se si po i lidhni këta milionerë, direkt apo indirekt. Shihet qartë se kur janë krijuar këto kompani”, shtoi ministri.
Vitia e mbylli reagimin e tij duke kërkuar korrektësi minimale nga deputetja opozitare, duke vlerësuar se deklaratat e saj tregojnë një mungesë totale vërtetësie.
‘Ju kisha lutur për korrektësi, sepse me këtë tregoni që absolutisht nuk ka asnjë grimë korrektësie në deklarimet tuaja”, përfundoi Vitia.



