Anëtarë të kabinetit qeverisës kanë kundërshtuar kërkesat e opozitës për uljen e akcizës dhe heqjen e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) për naftën gjatë një debati parlamentar të premten, në një kohë kur çmimet e karburantit janë rritur ndjeshëm si pasojë e luftës në Lindjen e Mesme.
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) paraqiti një rezolutë në Kuvend, përmes së cilës i kërkohet Qeverisë të gjejë mënyra për të subvencionuar çmimin e naftës për bujqësinë, transportin publik dhe prodhuesit vendorë. Rezoluta, e mbështetur edhe nga PDK-ja dhe AAK-ja, kërkon uljen e akcizës nga 36 në 20 centë për litër dhe uljen e përkohshme të TVSH-së nga 18% në 8%.
Kjo kërkesë vjen pasi çmimi i naftës ka arritur deri në 1.79 euro për litër, krahasuar me 1.33 euro sa ishte më 3 mars, pak ditë pas nisjes së sulmeve të SHBA-së dhe Izraelit kundër Iranit.
Opozita: Qeveria po përfiton nga kriza Shefja e Grupit Parlamentar të LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, deklaroi se rritja e çmimeve po prodhon një krizë ekonomike me ndikim te çdo familje. “Qeveria nuk guxon të qëndrojë si spektatore dhe të përfitojë nga rritja e taksave në këto produkte”, u shpreh ajo.
Kritika ka adresuar edhe kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, i cili akuzoi ekzekutivin se po injoron rënien e standardit të jetesës. “Kjo Qeveri po bën veprime vetëm si të konvertohen në votë; blerjen e votës përmes parasë publike”, deklaroi Hamza. Ndërkaq, Besnik Tahiri nga AAK-ja vlerësoi se Qeveria nuk është e aftë të përballet me krizat, duke e quajtur situatën aktuale një „barrë të rëndë“ për qytetarët.
Qeveria: Masat e opozitës prekin shtesat e fëmijëve dhe lehonave Në anën tjetër, ministrat e kabinetit Kurti i cilësuan propozimet opozitare si të dëmshme. Ministrja e Industrisë, Mimoza Kusari-Lila, pyeti opozitën se cilën kategori sociale duhet ta prekin për të kompensuar humbjen e të hyrave. “Ta heqim akcizën e TVSH-në? Cilat masa të heqim? Shtesat për lehonat apo ato për fëmijët”?, pyeti ajo.
Ministri i Financave, Hekuran Murati, shkoi më tej duke akuzuar opozitën se po punon për interesat e bizneseve. “Ulja e akcizës për 16 centë për një familje përkthehet në 8 euro kursim në muaj, ndërsa për shtetin kjo do të thotë 10 milionë euro më pak të hyra”, argumentoi Murati.
Qeveria synon ta kontrollojë situatën përmes projektligjit për çmimet tavan, i cili pritet të dërgohet së shpejti në Kuvend. Aktualisht, në fuqi deri më 4 prill janë masat mbrojtëse që kufizojnë marzhën tregtare në 2 centë për shitjen me shumicë dhe 12 centë për shitjen me pakicë.



