Në kuadër të Ditës Botërore e Ndërgjegjësimit për Autizmin, në hapësirat e Kryeqytetit është hapur ekspozita “Dritë në heshtje” e artistes Sanije Isufi, një ngjarje që ndërthur artin me përvojën personale në një rrëfim të ndjerë dhe reflektues.
Ekspozita sjell një qasje të veçantë, ku veprat artistike shërbejnë si urë komunikimi për të kuptuar një realitet që shpesh mbetet përtej fjalëve. “Dritë në heshtje” nuk paraqitet vetëm si një ekspozim artistik, por si një ftesë për ndjeshmëri dhe reflektim më të thellë mbi botën e personave me autizëm.

Në qendër të këtij rrëfimi qëndron edhe dimensioni personal i artistes si nënë, duke e kthyer përvojën e kujdesit ndaj një fëmije me autizëm në një formë të veçantë krijimi. Ky përkushtim i përditshëm, i padukshëm për syrin publik, përshkruhet si një akt i thellë dashurie, durimi dhe transformimi.

Nga Drejtoria e Kulturës u theksua se Kryeqyteti mbetet i përkushtuar për të mbështetur iniciativa të tilla, të cilat kontribuojnë në rritjen e ndërgjegjësimit dhe ndërtimin e një shoqërie më të ndjeshme dhe më gjithëpërfshirëse.



