Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Armend Zemaj, ka kërkuar sqarime urgjente nga ministri për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, lidhur me ekspozitën “Masakrat në Kosovë 1998–1999”, për të cilën pretendohet se ka përmbajtur pasaktësi të rënda historike.
Sipas raportimit të Ekonomia Online, Zemaj ngriti shqetësime se përmbajtja e kësaj ekspozite dhe materialet e lidhura me të paraqesin një devijim të qëllimshëm ose të paqëllimshëm nga e vërteta e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Ai kërkoi llogari edhe për financimin shtetëror të këtyre projekteve dhe shpërndarjen e librave që, sipas tij, dëmtojnë narrativën historike të popullit shqiptar.
“Është një devijim që duhet të vërtetohet në aspektin institucional. Kjo pjesë e përgjegjësisë ju takon edhe juve si kategori e re institucionale për mbrojtjen e vlerave të luftës. Duhet të shohim cili ka qenë financimi i shtetit për këtë ekspozitë apo librat që përfolen. A ka pasoja nga këto devijime historike të dëmshme që lidhen me ngjarjet tragjike, evidentimin e numrit të viktimave dhe masakrat”?, pyeti Zemaj.
Hoti: Përgjegjësia nuk është e ministrisë sime Nga ana tjetër, ministri Andin Hoti deklaroi se është krijuar një perceptim i gabuar në opinionin publik lidhur me përgjegjësinë e ministrisë që ai drejton. Ai sqaroi se kompetencat për mbledhjen e historisë dhe verifikimin e fakteve u takojnë institucioneve të tjera specifike.
“Në Republikën e Kosovës institucionet janë të ndara. Mekanizmi që bën përmbledhjen e historisë është Instituti i Historisë, ndërsa verifikimin e fakteve e bën Instituti për Krimet e Luftës (IKKL). Ministria ka mandat mbrojtjen dhe reagimin. Unë kam qenë ndër të parët që kam reaguar për atë që u shfaq në shesh”, u përgjigj Hoti.
Gjithashtu, ministri theksoi se iniciatori i ekspozitës, Shkëlzen Gashi, nuk ka lidhje me Kryeministrin Albin Kurti në këtë projekt, por bëhet fjalë për një iniciativë individuale të vetë autorit. Debati u tensionua më tej kur kryetarja e Komisionit, Fatmire Mulhaxha-Kollçaku, akuzoi deputetin Zemaj për politizim të skajshëm të kësaj çështjeje sensitive.



