Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë njoftuar se janë anuluar seancat e planifikuara për javën e ardhshme në procesin gjyqësor ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi, lidhur me akuzat për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë.
Sipas njoftimit zyrtar të Gjykatës Speciale, seancat ishin paraparë të mbaheshin gjatë mesit të muajit prill, përkatësisht nga data 14 deri më 17 prill 2026.
„Ju njoftojmë se seancat e planifikuara për datat 14-17 prill 2026, në çështjen gjyqësore kundër Thaçit dhe të tjerëve në lidhje me akuzat për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, janë anuluar. Informacione të mëtejshme do të jepen sapo të jenë të disponueshme“, thuhet në njoftimin e shkurtër të lëshuar nga Haga.
Gjykata nuk ka dhënë arsye specifike për këtë anulim të papritur, ndërsa mbetet të shihet se kur do të caktohen datat e reja për vazhdimin e këtij procesi. Ky rast, i cili ndërlidhet me pretendimet për pengim të procedurave ligjore, po zhvillohet paralelisht me procesin kryesor gjyqësor në të cilin po përballen krerët e UÇK-së.



