spot_img
E premte, 10 Prill, 2026
22:25
HomeKosovaMbyllen dy ambulanca serbe në Skenderaj, Lista Serbe kërkon reagim nga ndërkombëtarët

Mbyllen dy ambulanca serbe në Skenderaj, Lista Serbe kërkon reagim nga ndërkombëtarët

Për lajme të shkurtra dhe informuese, ndiqni kanalin tonë në YouTube!
🔗 Kliko: KËTU

Kryetari i Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku, njoftoi se dy ambulanca të mjekësisë familjare, në fshatrat Banjë dhe Syriganë janë mbyllur, pasi funksiononin ilegalisht “nën menaxhimin e strukturave paralele serbe” dhe jashtë “rendit kushtetues dhe ligjor të Republikës së Kosovës”.

Lushtaku përmes një postimi në Facebook tha se ajo që është gjetur në këto ambulanca është “e papranueshme”, duke theksuar se janë gjetur barna pa banderolë dhe me afat të skaduar, janë përdorur receta mjekësore pa praninë e mjekut, si dhe “shkelje të tjera të shumta që bien në kundërshtim me ligjet dhe protokollet shëndetësore”.

- Advertisement -

“Nuk do të lejojmë që askush të rrezikojë jetën dhe shëndetin e qytetarëve duke vepruar jashtë sistemit dhe ligjeve të Republikës së Kosovës. Kemi ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore dhe kemi njoftuar edhe autoritetet përkatëse përfshirë edhe Agjencinë e Kosovës për produkte dhe pajisje medicinale”, shkroi Lushtaku, duke shtuar se këto ambulanca mund të rinisin punën vetëm pasi të integrohen plotësisht në sistemin shëndetësor të Kosovës.

Ndërkaq, Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë që ka mbështetjen e Beogradit, njoftoi se me urdhër të Ministrisë së Shëndetësisë së Qeverisë së kryeministrit Albin Kurti dhe të Komunës së Skenderaj është ndërprerë puna e ambulancave në fshatrat Banjë dhe Syriganë.

- Advertisement -

Këto ambulanca funksionojnë në sistemin e Serbisë, ndërsa nga Lista Serbe u tha se ndërprerja e punës “rrezikon drejtpërdrejt të drejtën për kujdes shëndetësor të popullit serb dhe të gjithë qytetarëve që kanë përdorur shërbimet e këtyre institucioneve shëndetësore”.

Radio Evropa e Lirë i është drejtuar edhe Ministrisë së Shëndetësisë të Qeverisë së Kosovës me pyetje lidhur me këtë çështje dhe po pret përgjigje.

Kosova, ndërkaq, ka nisur mbylljen e institucioneve të Serbia që nga viti 2024, pasi i konsideron ato paralele dhe të paligjshme. Në muajt e fundit po përmendet gjithnjë e më shumë edhe integrimi i institucioneve shëndetësore dhe arsimore, që në zonat me shumicë serbe funksionojnë në sistemin e Serbisë.

Nga Bashkimi Evropian në fund të marsit i thanë Radios Evropa e Lirë se është në dijeni të qëllimit të autoriteteve kosovare për integrimin e këtyre dy sektorëve, por se një hap i tillë duhet të bëhet në konsultim me komunitetin serb.

Lista Serbe më 10 prill tha se për ndërprerjen e punës së institucioneve shëndetësore në fshatrat Banjë dhe Syriganë në Komunën e Skenderajt kanë njoftuar përfaqësuesit e BE-së, Shteteve të Bashkuara dhe vendet e QUINT-it, si dhe misionet e OSBE-së, EULEX-it, KFOR-it dhe UNMIK-ut, të cilëve u është kërkuar reagim urgjent.

“Rikujtojmë se përfaqësuesit ndërkombëtarë, para së gjithash përfaqësuesi i posaçëm i BE-së [për dialogun Kosovë-Serbi], Peter Sorensen, dhe Ambasada amerikane në Prishtinë, kanë theksuar qartë se nuk duhet të ketë ndërprerje të ofrimit të shërbimeve për qytetarët në fushën e shëndetësisë dhe arsimit, dhe se çështja e funksionimit të institucioneve në këto fusha do të zgjidhet ekskluzivisht përmes dialogut, në bazë të marrëveshjeve të arritura dhe në marrëveshje me popullin serb”, u tha në njoftim.

Mbylljen e ambulancave e dënoi edhe Demokracia Serbe, dhe nisma qytetare, Veriu për të gjithë, që kanë këshilltarë komunalë në disa komuna të banuara me shumicë serbe.

Lidhur me këtë çështje ka reaguar edhe Zyra për Kosovën në Qeverinë serbe, duke argumentuar se me mbylljen e dy ambulancave, më shumë se 250 serbë në Syriganë dhe Banjë kanë mbetur pa kujdes shëndetësor dhe shërbime mjekësore.

Nga kjo zyrë u pretendua gjithashtu se gjatë aksionit për mbylljen e ambulancave është “hequr” edhe tabela me emrat e dy shkollave fillore në këto vende, si dhe e Shkollës së Mesme Teknike në Syriganë.

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviq, theksoi po ashtu se për këto zhvillime ka njoftuar BE-në dhe të gjithë përfaqësuesit relevantë ndërkombëtarë. /REL

spot_img
ARTIKUJ TË TJERË
- Advertisment -spot_img

Më të lexuarat