E PLOTËSUAR / Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, gjatë seancës së jashtëzakonshme për zgjedhjen e presidentit, kritikoi opozitën për mungesën në sallë, duke theksuar se secili deputet obligohet nga Kushtetuesja të jetë prezent, përveç në rastet kur merr leje.
“Në një demokraci parlamentare mund të ketë dallime të thella politike, përplasje, debate madje edhe mosmarrëveshje të plota. Por mendoj që ka një vijë që nuk duhet kaluar dhe kjo vijë është detyrimi ynë, i të gjithëve për ta respektuar rendin kushtetues”, tha ajo, duke cituar aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese se deputetët obligohen të qëndrojnë në sallë gjatë procesit dhe nevojiten 2/3 e votave.
“Mungesa e opozitës është një veprim që prodhon pasoja direkte, bllokimin e një procedure kushtetuese dhe shtyrjen e vendit drejt një krize të panevojshme”, tha Haxhiu.
Në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës janë të pranishëm vetëm deputetët e LVV-së. Deputetët e PDK-së, LDK-së dhe AAK-së nuk gjenden në sallë. Shefat e grupeve parlamentare para nisjes së seancës kanë deklaruar se nuk do të marrin pjesë.
Nis seanca e Kuvendit për presidentin, opozita mungon
Ka nisur seanca e Kuvendit të Kosovës për diskutimin rreth zgjedhjes së presidentit të vendit. Në seancë po mungon opozita, ndërsa është e pranishme vetëm Lëvizja Vetëvendosje.
Seanca është thirrur nga kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, e cila e ka cilësuar atë si “diskutim” për këtë çështje.
Opozita nuk po merr pjesë në seancë, ndërsa në sallë është e pranishme vetëm Lëvizja Vetëvendosje.
Sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, afati për zgjedhjen e presidentit të ri përfundon nesër, përndryshe vendi rrezikon të shkojë në zgjedhje të reja.



