Shkrimtari nga Kosova, Gëzim Aliu është nderuar me çmimin “Jakov Xoxa” si zë i spikatur i prozës bashkëkohore, me motivacionin se përmes një krijimtarie origjinale dhe një angazhimi të qëndrueshëm shkencor, ka pasuruar diskursin letrar dhe ka ndikuar në zhvillimin e mendimit kritik në kulturën shqiptare.
Ceremonia e dhënies së çmimit u zhvillua në Qendrën “Sotir Kolea” nën moderimin mjeshtëror të aktorit Mevlan Shanaj.
Eventi nisi me një moment nderimi për akademikun Rexhep Qosja, i cili u nda nga jeta pak ditë më parë, duke vlerësuar veprën dhe kontributin e tij si anëtar i jurisë së këtij çmimi.
Në fjalën e tij përshëndetëse, themeluesi i këtij titulli mbarëkombëtar dhe njëherazi djali i Jakov Xoxës, Agron Xoxa, shprehu falënderimet dhe mirënjohjen për të gjithë të pranishmit, veçanërisht për institucionet që kanë mbështetur Çmimin “Jakov Xoxa” që prej fillimit të tij, si Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit dhe Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, si edhe për Bordin, Jurinë e Çmimit dhe organizatorët e ceremonisë.
Në këtë ceremoni mbajtën fjalë përshëndetëse drejtoresha e QKLL-së, Arta Marku, akademiku Ali Aliu, shkrimtarja Diana Çuli si edhe botuesit Abdullah dhe Edon Zeneli.
Drejtoresha e QKLL-së theksoi se çmimi “Jakov Xoxa” përfaqëson tashmë një urë të re, por të rëndësishme, të forcuar nga emra jashtëzakonisht dinjitozë të jurisë.
Ajo nënvizoi gjithashtu vlerësimet që kritika i ka bërë figurës së Jakov Xoxës ndër vite: për përmasën mbarëkombëtare të veprës së tij në një kohë kur kjo përmasë nuk ekzistonte; për frymën romantike në një periudhë kur romantizmi nuk ishte i preferuar; për aftësinë e thellë të interpretimit psikologjik të natyrës njerëzore; si dhe për pasurinë e gjuhës, që mbetet një model i vyer për t’u ndjekur edhe sot.
Gjatë mbrëmjes, aktorët Vasjan Lami dhe Violeta Trebicka interpretuan pjesë të zgjedhura nga veprat konkurruese të pesë finalistëve. /atsh



