Sot më 9 maj përkujtohet vdekja e Friedrich Schiller, poetit, dramaturgut dhe historianit të njohur gjerman, i cili konsiderohet një nga figurat më të rëndësishme të letërsisë klasike gjermane.
I lindur më 10 nëntor 1759 në Marbach am Neckar, Schiller u bë i njohur për veprat e tij dramatike dhe poezinë, duke u renditur pranë Johann Wolfgang von Goethe si një nga autorët më të shquar të klasikës gjermane.
Gjatë jetës së tij, ai studioi juridik dhe mjekësi në akademinë ushtarake të themeluar nga duka Karl Eugen i Württembergut, por shumë herët zhvilloi prirjen drejt letërsisë dhe mendimit kritik. I ndikuar nga autorë si Rousseau, Goethe dhe Shakespeare, Schiller shkroi fshehurazi dramën e tij të parë “Grabitqarët”, e cila u botua anonimisht në vitin 1781 dhe pati sukses të jashtëzakonshëm pas shfaqjes në Mannheim më 1782, shkruan KultPlus.
Megjithatë, suksesi i hershëm i solli edhe probleme me autoritetet e kohës, duke u përballur me ndalesë shkrimesh, arrestim dhe përjashtim nga Württembergu. Pas largimit, ai jetoi në Mannheim, Leipzig dhe Dresden, ku krijoi disa nga veprat e tij më të rëndësishme.
Në vitin 1790 u martua me Charlotte von Lengfeld, ndërsa një vit më vonë filloi punën si profesor historie në Universitetin e Jenës. Gjatë kësaj periudhe shkroi vepra historike dhe ese filozofike, duke përfshirë “Historia e Luftës Tridhjetëvjeçare” dhe “Mbi edukatën estetike të njeriut”.
Një moment i rëndësishëm në jetën e tij ishte miqësia me Goethe, e nisur më 1794, që ndikoi fuqishëm në zhvillimin e letërsisë gjermane të kohës.
Schiller realizoi disa prej dramave më të njohura të teatrit evropian, mes tyre trilogjinë “Wallenstein”, “Maria Stuart”, “E Virgjëra e Orleansit” dhe “William Tell”, vepra që vazhdojnë të jenë pjesë e repertorit të teatrove gjermanofolëse edhe sot.
Ai ndërroi jetë më 9 maj 1805 në Weimar, duke lënë pas një trashëgimi të jashtëzakonshme në letërsinë dhe dramaturgjinë evropiane.



